2011-09-30 12:27:21

Fjalimi i Nuncit Apostolik në mbledhjen e ipeshkvijve evropianë në Tiranë


Eminenca, Shkëlqesi
Kryeministër Dr. Sali Berisha

Të ftuar të nderuar,

Është një privilegj dhe një gëzim i madh për mua që, si Përfaqësues i fort të dashurit Atit tonë të Shenjtë Papa Benediktit XVI në Shqipëri, po ju drejtoj një përshëndetje të gjithë juve, duke falënderuar në veçanti Sh.T. Kryeministrin Dr. Sali Berisha, që na nderon me praninë e tij dhe me fjalët e tij.

[Zotërinj Kardinalë, Arqipeshkvij dhe Ipeshkvij, anëtarë të Këshillit që përfshin 37 Konferenca Ipeshkvnore të Europës, me Kryetarin e tij Kardinalin Péter Erdò dhe Sekretarin e Përgjithshëm Shkëlqesinë e tij Mons. Duarte da Cunha;

të shoqëruar nga kryetarë ose delegatë të komisioneve të ndryshme ipeshkvnore dhe të Ftuar të ndritur, ndër të cilët Fortlumturia e Tij Fouad Twal, Patriarku i Jeruzalemit të Latinëve, Përfaqësues të disa Dikastereve të Kuries Romake: Eminenca e Tij Kardinali Marc Ouellet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, dhe S.E. Mons Rino Fisichella, President i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, si dhe Përfaqësues të Selisë së Shenjtë pranë Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës; dhe Kryetarë ose Delegatë të Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan (KIL), e të Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit (SKIAM).]

Vetëm lista e emrave të personave dhe detyrat dhe përgjegjësitë e larta kishtare me të cilat janë të ngarkuar e jep idenë e rëndësisë dhe shtrirjen gjeografike që e karakterizon këtë Kuvend të madh kishtar. Vërtet ai përfaqëson dhe rrok Kishën që shtegton në Vende dhe kombe të ndryshme të kontinentit europian, por, në një farë kuptimi, këtu është e pranishme edhe Kisha që jeton dhe përparon në kontinentet e tjera, Kisha universale.
Nëse pastaj e ngulim shikimin tek tema qendrore, që do të jetë objekt i studimit, i reflektimit, i lutjes, i kërkimit, i shkëmbimit të ideve dhe i iniciativave në këto ditë, pra, tema e “Ungjillëzimit të ri”, kaq jetike për Kishën e sotme dhe të nesërme, sidomos për vendet me traditë të vjetër të krishterë, atëherë del në pah edhe më fort transhendenca e këtij takimi.

Gjithashtu, nuk ka dyshim se vendimi për ta zhvilluar në Shqipëri këtë Asamble të madhe Plenare të Konferencave Ipeshkvnore të Europës, në edicionin e dyzetë të saj, qe me të vërtetë provanore. Prandaj nuk mund të mos shpreh mirënjohje të sinqertë dhe të përgëzoj nga zemra të gjithë personat dhe institucionet, në veçanti Konferencën Ipeshkvnore Shqiptare me Kryetarin e saj Sh.T. Mons. Rrok Mirdita dhe Sekretariatin e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Europës, të cilët duke kapërcyer çdo vështirësi të karakterit logjistik, teknik, organizativ, kanë bërë të mundur që sot të çelet ky event i madh kishtar, nën shenjën e shpresës, pikërisht këtu, në Tiranë, ku 44 vjet më parë u mor vendimi i marrë për ta shpallur këtë Vend, Shqipërinë, zyrtarisht dhe me kushtetutë ateiste, duke filluar kështu, me siguri, periudhën më të trishtuar dhe më të errët të historisë së saj të gjatë. “Deshën të vrasin Hyjin” është titulli i një studimi të botuar në vitin 1996, që tregon ngjarjen dramatike të këtij qëllimi të rremë dhe të kotë për ta fshirë Zotin prej zemrës dhe prej mendjes së njeriut, sikurse dhe metodat e përdorura për të arritur një qëllim të tillë, si dhe mediton përmbi protagonistët dhe mbi viktimat e tyre.

Dikush ka thënë se gjatë etapës më të vështirë dhe çnjerëzore të komunizmit, Shqipëria ishte bërë “një vend skllevërish, të dënuar që të jetonin pa bukë, pa familje, pa Zotin dhe pa shpresë”. E ashtuquajtura “parajsë tokësore” që shpallte propaganda komuniste, në të vërtetë nuk ishte tjetër veç përshkrimi më besnik i ferrit: pa Zot dhe pa shpresë: “Braktisni çdo shpresë, ju që hyni këtu ... unë pashë të shkruar në ballnikun e një dere (Dante “Komedia hyjnore”, kënga e tretë, ferri)

Në vizitën historike në Shqipëri të Papa Gjon Palit II, më 25 prill 1993, ai u shfaq pikërisht si Lajmëtari i shpresës, i pajtimit dhe i paqes. Ai deshi t’i kujtojë ato “vite mundimesh të mirëfillta... vite privimi prej lirive themelore të njeriut, përfshirë ato të shprehjes, të shoqatave dhe të fesë, që kanë shkaktuar çarje të mëdha në strukturën e shoqërisë, duke lënë gjurmë të thellë në sjelljet dhe ndërgjegjet... dhe që, sidoqoftë, Europa dhe bota nuk duhet t’i harrojnë.

Në atë rast Gjon Pali II deshi gjithashtu të nënvizonte besnikërinë dhe heroizmin e Kishës dhe të nderonte dëshminë e guximshme të martirëve të saj: “Në një dimër kaq të egër dhe të mundimshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur prej përndjekjes së ashpër dhe të zgjatur, por e pasuruar prej dëshmisë së martirëve të saj... ka bashkëndarë deri në fund vuajtjet dhe shpresat e kombit, duke mbajtur gjallë edhe përmes sakrificës vetjake të anëtarëve të saj të shumtë, traditën tejet të lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të patjetërsueshme të identitetit të mirëfilltë shqiptar”. Në fund, Papa shprehte lumturinë që po mundte të ndante bashkë me popullin shqiptar “gëzimin e lirisë së rigjetur”, duke inkurajuar përpjekjen për rindërtimin moral dhe material të ndërmarrë, dhe duke siguruar mbështetjen e sinqertë dhe të vazhdueshme të Kishës Katolike”. Mbas një nate të gjatë e të errët, një ditë e re po agonte: dielli po fillonte të lindte sërish duke i drejtuar rrezet e tij të mira mbi këtë tokë aq të vuajtur, duke sjellë shpresë dhe jetë. Para se të kthehej në Romë, Gjon Pali II siguronte se Kisha “Sikurse qe pjesëmarrëse e ngjarjeve të fundit të mundimshme, edhe tani dëshiron të bashkëndajë gëzimin dhe përgjegjësinë e stinës së re të lirisë që sapo ka nisur. Është aspirata e saj e madhe që të japë një kontribut të rëndësishëm për realizimin e përparimit të plotë të Shqipërisë, sikurse edhe për futjen aktive të saj në kontekstin europian, ku rrënjët e lashta historike të çojnë në mënyrë të natyrshme.”

Në njëzet vitet e fundit, falë pranisë së madhe të personelit fetar të ardhur prej të gjithë botës, dhe ndihmës materiale, bujare dhe vendimtare të Kishës universale, si dhe të lehtësive të bëra edhe prej Autoriteteve qeverisëse, u bë e mundur që të rindërtohej, praktikisht, e gjithë infrastruktura materiale e Kishës, që ishte shkatërruar sistematikisht ose kishte kaluar për qëllime të tjera, dhe madje duke e përmirësuar atë.

Sikurse kishte paralajmëruar Papa Gjon Pali II, në këtë kohë të shkurtër, Kisha katolike, përmes institucioneve të saj të shumta dhe të larmishme të përhapura në të gjithë territorin kombëtar, sidomos në sektorët e edukimit, shëndetësisë dhe të zhvillimit njerëzor, është angazhuar thellësisht, sipas përgjegjësive përkatëse, në shërimin dhe rigjallërimin e shoqërisë, gjysmë e rrënuar ose e ndotur prej urrejtjes, mosbesimit dhe mendësisë materialiste, duke i dhënë përparësi brezave të rinj, fëmijëve dhe të rinjve, duke rrënjosur në to, përveç diturive, nga kopshtet deri tek universiteti, edhe vlerat njerëzore, qytetare, shpirtërore dhe transhendente, e vetëdijshme se procesi i pastrimit dhe i shndërrimit të mendjes dhe i zemrës së njerëzve dhe i shoqërisë, për nga natyra e vet, është shumë më delikat, më i ngadalshëm dhe më i lodhshëm, se sa rindërtimi thjesht material. (12 tetorin që vjen do të inaugurohet në Tiranë Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë me praninë e Em.T. Kardinalit Zenon Grocholewski, Prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik).

Eminenca, Shkëlqesi, të Ftuar të Nderuar,

Pikërisht në këtë panoramë tërësisht të veçantë, që në mënyrë provanore po zhvillohet Asambleja e dyzetë Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Europës për të reflektuar përmbi “ungjillëzimin e ri”, shkurt mbi “përcjelljen e fesë” me synimin për një “rilindje të re të Kishës”, sidomos në Vendet tuaja dhe tonat të prejardhjes, prej kontinentit europian, të ashtuquajtur të “botës së parë”, ku, megjithë rrënjët e krishtera, sikurse tha kohët e fundit Papa Benedikti XVI, shihet dhe ndihet të përparojë “eklipsi i Zotit” dhe i fesë, e, për fat të keq, shumë të krishterë jetojnë tashmë sikur Zoti të mos ekzistonte. Me eklipsin e fesë dhe të Zotit nuk shihet më “Drita që vjen prej së larti për të shndritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes” (Benedictus). “Ku është Hyji, është e ardhmja”. Kjo qe shtytja frymëzuese dhe që u përsërit prej Benediktit XVI gjatë udhëtimit të tij të fundit në Gjermani. Ka të ardhme, sepse ka shpresë. E nëse, edhe vetë Zoti në të cilin besojmë është Zoti i zbuluar prej Jezu Krishtit, Zoti Dije-Dashuri mëshirëplotë, në përngjasimin dhe shëmbëlltyrën e të cilit jemi krijuar, dhe ky besim është i gjallëruar prej dashurisë, prej dhembshurisë, atëherë shpresa nuk zhgënjen dhe si rrjedhim ka shpëtim (krh In Spe Salvi).

Kisha, qysh prej fillimit është ruajtësja e këtij Lajmi të Mirë, gurrë e pashtershme e shpresës dhe shkak ripërtëritjeje e shndërrimi të vërtetë rrënjësor i zemrës dhe i mendjes së njerëzve, të shoqërive dhe i botës, dhe ka marrë prej Jezu Krishtit të Ngjallur, para se të ngjitej në qiell, detyrën misionare: “Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!” (Mt. 28,19-20). Mund ta përfytyrojmë frikën e dishepujve të Zotit. Bëhej fjalë për një mision të pamundur. Për t’u dhënë zemër Jezu Krishti u premtoi atyre ardhjen e Shpirtit të Shenjtë - Mrojtës (krh Gjn. 14,26) që “do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën” (Gjn. 16,13), duke i siguruar edhe përpraninë e tij të vazhdueshme: “Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë - deri në të sosur të botës!” (Mt. 28,20).

Koncili II i Vatikanit me Kushtetutën Baritore Gaudium et Spes dhe Dekretin Ad gentes, sikurse edhe Magjisteri papnor i mëvonshëm, në veçanti me Thirrjen Apostolike Post-Sinod Evangelii nuntiandi (1975) të Palit VI dhe Christifideles laici (1988), sikurse gjithashtu Enciklika Redemptoris missio e Gjon Pali II, kishin nxjerrë në pah nevojën për një përtëritje të shpalljes së Ungjillit në vijim të shndërrimeve të thella shoqërore, teknike dhe shkencore të ndodhura në dekadat e fundit të shekullit XX.

Qysh në vitin 1979 i njëjti Papë, në vitin e parë të pontifikatit të tij, kishte hedhur shprehjen “ungjillëzimi i ri” dhe, në mënyrë të përsëritur, gjatë pontifikatit të tij të gjatë e tregoi atë si një detyrë urgjente për Kishën në mijëvjeçarin e tretë. Në fakt, në Letrën Apostolike Tertio millennio mneunte (2001) Papa i madh, që kishte përshkuar të gjitha udhët e botës, si Lajmëtar i Ungjillit, i shpresës dhe i paqes, përsëriste me forcë se “detyra misionare” e Jezu Krishtit është gjithnjë e vlefshme dhe se jemi ende në fillim të ungjillëzimit, duke ftuar Kishën për të grahur në ujë të thellë pa frikë, dhe për të vazhduar të hedhë rrjetat në oqanet e paanë të botës, me besim tek fuqia e Fjalës dhe tek prania e Zotit.

Papa ynë i dashur Benedikti XVI, me stilin e tij karakteristik, ka vazhduar në të njëjtën linjë si Paraardhësi i tij, duke mos lënë rast pa shpallur, me kurajo, edhe prej tribunave të areopagëve më të ndryshëm të botës, Ungjillin dhe Personin e Jezu Krishtit, të Vërtetën mbi Zotin dhe mbi njeriun, duke treguar se nuk është e vërtetë që ka kundërvënie apo kontradiktë mes besimit dhe arsyes, por më fort janë plotësues të njëri-tjetrit.

Një vit më parë, më 21 shtator 2010, Benedikti XVI, me Letrën Apostolike në formën e “Motu Proprio” “Ubidumque et Semper” (Gjithmonë dhe kudo) themelonte Këshillin Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Ky Dikaster i ri i Kuries Romake do të përpiqet që të gjejë forma dhe metoda të reja më në përkim me mendësinë e kohëve tona, me qëllim që detyra misionare e dorëzuar apostujve prej Jezusit të mund t’u arrijë sërish, edhe sot, shumë të pagëzuarve të cilët, viktima të kulturës subjektiviste dhe relativiste të kohëve tona, nuk e kuptojnë më kuptimin e përkatësisë në bashkësinë e krishterë dhe bien shpesh në një “formë të përhapur indiferentizmi fetar, paralajmërues për një ateizëm “de facto”, pasojat shkatërrimtare të të cilit ne vetë mund t’i vërejmë në Vendet tona dhe me traditë të lashtë të krishterë.

Sikurse dihet, Thirrja Apostolike Post-Sinod Ecclesia in Europa (Kisha në Europë) e shpallur prej Papa Gjon Palit II, më 28 qershor 2003, në njëzetepesë vjetorin e Pontifikatit, përmbledh punimet e Asamblesë së Dytë të Veçantë për Europën dhe Sinodin e Ipeshkvijve të mbajtur në tetor 1999 (e para ishte kremtuar në vitin 1991).

Përsiatja dhe meditimi i Etërve të Sinodit u përqëndrua mbi “Jezu Krishtin e gjallë në Kishën e tij, burim shprese për Europën” (një Europë, e çliruar prej komunizmit) duke e vendosur theksin pikërisht mbi “shpresën”: Shpresë me Sh të madhe, Shpresa “e madhe” që vjen vetëm prej Jezu Krishtit dhe prej Ungjillit. Në kapitullin e fundit, VI, që ka për titull Ungjilli i shpresës për një Europë të re, lexojmë: “Europa ka nevojë për një ngritje cilësore në ndërgjegjësimin e trashëgimisë së saj shpirtërore. Një nxitje e tillë nuk mund t’i vijë veç nga një dëgjim i ri i Ungjillit të Krishtit. U takon të gjithë të krishterëve të angazhohen për ta shuar këtë uri dhe etje për jetën” (n.120). Dokumenti papnor mbyllet me një lutje shumë të bukur drejtuar Marisë, Nënës së shpresës.

Edhe Thirrja e fundit Apostolike e Gjon Palit II, Pastores gregis, e vitit 2003, nënvizon fjalën “shpresë” dhe përmasën e saj transhendentale në misionin baritor të Ipeshkvit: Asambleja X e Përgjithshme e Sinodit, në tetor të vitit 2001, kishte medituar mbi figurën e Ipeshkvit shërbyes të Ungjillit të Jezu Krishtit për shpëtimin e botës. Thirrja Apostolike, pothuaj testamenti shpirtëror i Papës, për të gjithë dhe për secilin prej Ipeshkvijve, përfundon me këto fjalë:
“Detyra jonë është që të jemi, për çdo njeri, në mënyrë të lartë dhe të dukshme, një shenjë e gjallë e Jezu Krishtit, Mësues, Meshtar dhe Bari.
Krishti Jezus, të nderuar vëllezër ipeshkvij, është pra ikona tek e cila i drejtojmë sytë tanë për të kryer shërbesën tonë si lajmëtarë të shpresës. Sikurse Ai edhe ne duhet ta ofrojmë jetën tonë për shpëtimin e atyre që na janë besuar duke shpallur dhe kremtuar fitoren e dashurisë mëshirëplote të Zotit mbi mëkatin dhe mbi vdekjen” (n.74).

E përmenda më sipër Enciklikën e Benediktit XVI mbi shpresën, shpresën e “madhe”, shpresën e krishterë, e vetmja që nuk zhgënjen, e vetmja që shpëton: sepse ajo është vetë Jezu Krishti. Ai është shpresa jonë, shpresa e Kishës, shpresa e Europës dhe shpresa e botës. Dhe bota, ndoshta pa e ditur, ka etje dhe uri të cilat vetëm kjo shpresë mund t’i shuajë përfundimisht.

Kjo Asamble e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Europës, e mbledhur në Shqipëri, mbas një përgatitje të gjatë dhe të kujdesshme, është e thirrur që të reflektojë përmbi temën e “ungjillëzimit të ri”; shkurt, për të kërkuar të gjejë konkretisht, nën dritën e Shpirtit Ngushëllues, mënyrën për t’i bërë ballë sfidës për t’ia arritur që, me dashuri dhe pa poshtëruar askënd, t’u paraqesë dhe t’u ofrojë sërish atyre të krishterëve, që të lodhur nga e vërteta, largohen prej Zotit, “shpresën e madhe”, ruajtësja e së cilës është Kisha. Ta dëgjojmë zërin e Shpirtit.


Faleminderit

Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglés
Nunci Apostolik në Shqipëri







All the contents on this site are copyrighted ©.