2011-09-30 16:34:27

Emergjenca humanitare, liria fetare, kriza ekonomike dhe shteti palestinez, në qendër të fjalimit të imzot Mambertì në OKB


Emergjencat humanitare përfaqësojnë një sfidë parësore për bashkësinë ndërkombëtare. Kështu tha sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì në fjalimin, që mbajti të martën në Asamblenë e 66-të të përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Prelati nënvizoi konceptin e “familjes së kombeve” dhe nevojën që të gjithë ta kuptojnë se varemi nga njëri-tjetri e prandaj, duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Imzot Mambertì vuri në dukje zinë e bukës në Bririn e Afrikës, e cila vazhdon të shkaktojë viktima, sidomos ndër gra e fëmijë.
Sfida e dytë, nënvizoi prelati, ka të bëjë me lirinë e fesë. “Mungesa e respektit për lirinë e fesë – tha ai – është kërcënim për sigurinë e paqen dhe pengon zhvillimin e vërtetë e të plotë të njeriut… Pesha që ka një fe e caktuar për një komb, nuk duhet të presupozojë diskriminimin e besimtarëve të feve të tjera në jetën shoqërore, ose edhe më keq, lejimin e dhunës kundër tyre… Respekti për lirinë e fesë – vazhdoi imzot Mambertì – është udha themelore për ndërtimin e paqes, për njohjen e dinjitetit të njeriut dhe për mbrojtjen e të drejtave të tij”. Kryeipeshkvi kujtoi se situatat, në të cilat dhunohet liria fetare, janë të shumta. Sidomos të krishterët, denoncoi ai, janë aktualisht grupi, që persekutohet më shumë për shkak të fesë. Prelati kërkoi të merren masa të frytshme për mbrojtjen e pakicave fetare, aty ku ato kërcënohen, në mënyrë që të gjithë besimtarët të mund të kontribuojnë si duhet në shoqërinë ku bëjnë pjesë.
Sfida e tretë, që përmendi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, është kriza ekonomike e financiare botërore, shkaktuar sidomos nga mungesa e etikës në strukturat ekonomike.
Së fundi, para kërkesës për anëtarësim në OKB të Autoritetit Palestinez, imzot Mambertì bëri thirrje për “vendime të guximshme”. Selia e Shenjtë e sheh iniciativën si përpjekje të mëtejshme për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për Izraelin e Palestinën, bazuar në rezolutën 181 të OKB-së, miratuar më 29 nëntor 1947, ku parashikohet ekzistenca e dy shteteve. Sido që të jetë përgjigjia e OKB-së për kërkesën palestineze, Vatikani mendon se në Lindjen e Mesme duhet të rifillojnë bisedimet e dialogu. Imzot Mamberti i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të impenjohet më shumë, me krijimtari e iniciativë, që të arrihet një paqe e qëndrueshme, duke respektuar të drejtat e izraelitëve e të palestinezëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.