2011-09-29 18:03:26

Çelësi i fjalëve të Kishës: "udha"


Sot Radio Vatikani është në festë, siç e dëgjuat edhe nga lajmet tona. Detyra e radios së Papës, ndërmjet të tjerash, është t’i shoqërojë besimtarët në udhën e tyre të krishterë, duke i ndihmuar të gjejnë Krishtin, Zotin e vërtetë, që i udhëheq me dashuri në jetë. Por cila është ”udha” e të krishterit? Për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.

”Derek” në hebraisht e ”hodòs” në greqisht, janë termat biblike që përvijojnë ”udhën”, e cila, sigurisht, mund të jetë edhe rruga materiale, mbi të cilën ecim, por për të krishterët, është sidomos simbol i jetës dhe i mënyrës se si e çojmë përpara atë. Shumë domethënëse për këtë është një frazë e Jeremisë profet: ”S’është në dorë të njeriut, udha e tij” (10,23). Kemi kështu sigurinë se jeta jonë, që mund të krahasohet me një udhë, herë të drejtë e herë të shtrembër, është nën vështrimin e Krijuesit hyjnor. E besimtari ia tregon Zotit udhën e vet, duke i rrëfyer Atit të Gjithpushtetshëm veprat e kryera gjatë jetës, por edhe duke i kërkuar Hyjit ta udhëheqë në rrugën, që Ai dëshiron. Psalmi 119 pohon: ”I shqyrtova hollë udhët e mia dhe i ktheva hapat e mi sipas urdhërimeve të tua” (119,59). Ka edhe udhë të këqia, të gabuara, që – siç thuhet në Librin e Fjalëve të Urta – na çojnë drejt mbretërisë së errësirës e jo drejt shtigjeve të jetës.
Zoti ka udhën e vet, e cila është yll polar për besimtarin, pasi është udhë e së vërtetës dhe e hirit. Hyji na kërkon ta ndjekim këtë udhë, sepse siç i zbulon Isaisë profet: ”Sikurse qielli që është i lartë në krahasim me Tokën, po ashtu, edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja” (55,9).
Krishti vazhdon ta mbështesë këtë propozim biblik për të ndjekur udhën e Zotit. Vërtet, në Darkën e Mbrame, u thotë apostujve: ”Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”, duke e shpjeguar se ç’nënkupton me fjalën ”udhë”: ”askush nuk shkon te Ati pos nëpër mua” (Gjn 14,6). Por rruga e Krishtit nuk është e lehtë, është plot pengesa, plot impenjime të rënda, është e ngushtë e të paktë janë ata që e gjejnë. Por është më e mira e të gjitha rrugëve, sepse është udha e së vërtetës dhe e drejtësisë. ”Nëse ndokush do të vijë mbas meje – u thotë edhe sot Krishti dishepujve të vet – le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje!”







All the contents on this site are copyrighted ©.