2011-09-29 17:57:50

Kardinali Bertone Radio Vatikanit: kudo e me kompetencën më të madhe, të jeni “zëri” i Papës dhe i Kishës në botë


Në 80-vjetorin e themelimit, në ditën kur liturgjia kujton Pajtorin e saj, Kryeengjëllin Gabriel, Radio Vatikani përjetoi sot paradite një çast intensiv feste. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone kryesoi një Meshë solemne në Kopshtet e Vatikanit, pikërisht në sheshin para Shpellës së Zojës së Lurdës, ku mori pjesë e gjithë bashkësia e punonjësve të Radios së Papës e natyrisht, edhe ne të programit shqip.RealAudioMP3

Gjatë homelisë, duke përshëndetur princeshën Elektra Markoni, kardinal Bertone kujtoi takimin ndërmjet Papës Piu XI dhe Guljelmo Markonit, nga i cili, më 12 shkurt 1931, mori jetë antena dhe trasmetuesi i parë i Radio Vatikanit. Që atëherë, radioja vazhdon punën e saj për përhapjen e Fjalës së Krishtit, të aktivitetit të Papës e të Kishës Katolike në botë, thelb, që nuk ka ndryshuar as sot, siç theksoi Sekretari i Shtetit:
“Duhet që Radio Vatikani të vazhdojë të jetë një mjet komunikimi tipik kishtar, pra, i lidhur në mënyrë jetësore me Kishën, njësoj si dega me hardhinë që e ushqen… Duke u dhënë të gjithëve informacion mbi realitetin e Kishës e për praninë e Zotit të Ringjallur në të, ju përgatisni kushtet e favorshme, që njeriu i sotëm t’ia hapë zemrën pranisë shëlbimprurëse të Hyjit e ta kuptojë meditimin e Kishës, dashur nga Zoti si mjet i frytshëm për shëlbim”.
Ndër detyrat themelore, të njohura universalisht, Radio Vatikani ka atë të përhapjes së mësimeve të Papës. Megjithatë, nënvizoi kardinali Bertone:
“Nuk është puna të shërbejmë vetëm si rezonancë për ç’bën e ç’thotë Papa, por duhet të referojmë besnikërisht të vërtetat, që na mëson Kisha, sidomos përsa i përket fesë e moralit, ashtu siç interpretohen e mësohen nga Magjisteri… Vërtet, e dimë se opinioni publik e sheh Emitenten tonë si “Radioja e Papës” dhe e konsideron çdo gjë që ajo transmeton si “informacion më se me autoritet””.
Detyrë tjetër e Radio Vatikanit është shpallja e Ungjillit në shumë gjuhë e për shumë kultura, duke qenë vazhdimisht në dialog me botën, në mënyrë të tillë që të mos e ulë nivelin e mesazhit e të vërtetën që sjell ai:
“Duhen paraqitur arsyet e fesë, që, si të tilla, shkojnë përtej çdo këndvështrimi ideologjik e duhet të kenë të drejtë të plotë qytetarie në debatin publik. Nga kjo kërkesë, lind impenjimi juaj i vazhdueshëm për t’u dhënë zë atyre pikëpamjeve, që pasqyrojnë mendimin katolik për çështjet, sidomos për ato etike e shoqërore”.
Në fund, prelati vuri në dukje zgjerimin e Radio Vatikanit gjatë 80 vjetëve. Sot, ajo është e zhytur në udhëkryqin, ku takohen të gjitha mediat, nga komunikimi digjital, tek interneti e tek celularët e brezit më të ri tekonologjik:
“Sfida të tilla duket se na kërkojnë të hyjmë me vendosmëri e me guxim në botën e multimedialitetit e, të zhvillojmë sinergji të reja, sidomos me institucionet e tjera të komunikimit në Selinë Apostolike, me logjikën e bashkëndarjes së përmbajtjes”.
Pas Meshës, drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, njëkohësisht zëdhënës i Selisë së Shenjtë, u dha gjashtë punonjësve të Radios një shenjë nderimi për punën e bërë. Po përmendim këtu, nderimin që iu bë, për herë të parë një pensionisteje, anëtare e redaksisë bullgare, Maria Tonçeva. Ja fjalët emblematike, që i drejtoi asaj atë Lombardi:
“Shembull i jetës së krishterë, i optimizmit dhe i qetësisë shpirtërore. Grua, nënë, gjyshe, e urtë dhe e dashur. Fryma e saj gjithnjë rinore na kujton se edhe pas moshës 80 vjeçare, mund të shpallësh gëzimin e shpresën, ashtu si duhet të bëjë Radio Vatikani”.
Që sot, në faqen e internetit të Radios sonë, mund të konsultohet lirisht “Kronologjia e historisë së Radio Vatikanit” përpiluar me profesionalitet e me detaje të hollësishme, nga jezuiti atë Huan Feliks Kabases, i cili ka qenë një nga krerët e emitentes, që ka kontribuar në shndërrimin e në rinovimin e saj në vitet ’70-’80.








All the contents on this site are copyrighted ©.