2011-09-29 18:06:07

Berisha për mbledhjen e CCEE-së: ngjarja më e rëndësishme pas vizitës së Papës Gjon Pali II


TIRANË, 29 Shtator /ATSH-Gjergji Mima/ - Ungjillëzimi i ri, përhapja e lajmit të mirë, të shpëtimit përmes Krishtit dhe paqes që përhap ai, është tema që ka mbledhë në Shqipëri krerë të lartë katolikë nga 33 vende të botës.
Në sesionin e hapjes së Asamblesë Plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Europës, që do të vazhdojë katër ditë, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili, pasi shprehu mirënjohjen e tij për zgjedhjen e Tiranës si vendin e zhvillimit të kësaj Asambleje, theksoi se kjo është ngjarja më e rëndësishme në historinë e gjatë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Vatikanit, pas vizitës së Papa Gjon Palit II në prill të vitit 1993.
"Duke përzgjedhur Tiranën dhe Shqipërinë për forumin tuaj të lartë keni nderuar kontributin e këtij kombi të vogël në historinë e Krishtërimit", tha Berisha, i cili shtoi se, që nga kohët e para themelimit të tij, Shqipëria ka dhënë kontributin e saj me mbrojtjen që i bëri Krishtërimit Skënderbeu, për të mbërritur tek Shenjtorja e mbarë njerëzimit, Nënë Tereza e Kalkutës.
Por, theksoi Berisha, "me këte vendim keni bërë një nderim të madh dhe plotësisht të merituar të priftërinjve të kishës shqiptare, të cilët u martirizuan dhe dolën në mbrojtje të vlerave hyjnore që besonin".
Berisha tregoi për vizitën historike të Papa Gjon Palit të II-të në vitin 1993, duke e cilësuar si një vizitë shumë kuptimplotë.
"Kjo konferencë është nderim shumë i madh për të gjithë klerin e Kishës katolike shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për imzot Rrok Mirditën, i cili, krahas veprimtarive shqiptare, ndërmori një sërë veprimtarish nga më të shumëllojshmet për të lehtësuar dhimbjet e një populli të vuajtur", tha Berisha.
Ai vlerësoi se në historinë e kulturës shqiptare rol kryesor kanë patur udhëheqësit e besimeve fetare, e në mënyrë të veçantë ata të kishës katolike, të cilët kanë shkruar dhe disa nga veprat më monumentale të letërsisë shqipe.
Berisha theksoi se kjo asamble zhvillohet në një kohë kur qeveria shqiptare po punon me përkushtim për shndërrimin në realitet të projektit për anëtarësim të vendit në BE, si e ardhmja më e shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Europës do të mbahet në Tiranë deri në 2 tetor.
Mëkëmbës i Papa Benediktit XVI do të jetë imzot Salvatore Fisichella, i emëruar nga Papa në krye të dikasterit të sapoformuar në Vatikan.
Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Europës do të ketë si temë kryesore "Ungjillëzimin e ri".
Sipas imzot Rrok Mirditës, Kisha katolike është një ndihmesë në bashkimin e Shqipërisë me familjen e madhe europiane. "Kisha Katolike ka një përvojë shumë më të lashtë se Europa e Bashkuar në çështje të tilla, siç janë proceset e integrimeve ndërkombëtare. Me përvojën e saj dhe praninë e saj të fortë në të gjitha nivelet e Bashkimit Europian, ajo jep një kontribut edhe për imazhin e Shqipërisë pranë institucioneve europiane vendimmarrëse", tha ai.








All the contents on this site are copyrighted ©.