2011-09-28 18:04:35

Papa ia jep eskluzivisht Rotës Romake çështjet e anullimit të martesave të pakonsumuara dhe të Urdhërit të shenjtë meshtarak


U bë e njohur mbrëmë Letra Apostolike e Benediktit XVI “Quaerit semper”, në formën e Motu proprio. Me të, Papa bën ndryshime në Kushtetutën Apostolike “Pastor Bonus”, duke i kaluar kompetencat për deklarimin “të paqenë” të martesës së pakonsumuar dhe për anullimin e shugurimit meshtarak, nga Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, eskluzivisht, në Gjykatën e Rotës Romake.
Papa shpjegon arsyet e këtij vendimi. “Selia e Shenjtë – shkruan në Letër – është përpjekur gjithnjë t’ia përshtasë strukturën e qeverisjes nevojave baritore, që dilnin në jetën e Kishës në çdo periudhë historike, duke ndryshuar organizimin dhe kompetencat e Dikastereve të Kuries Romake”. “Në kushtet aktuale – vazhdon Benedikti XVI – duket e dobishme që Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve t’i kushtohet kryesisht promovimit e dhënies së një impulsi të ri Liturgjisë së Shenjtë në Kishë, sipas rinovimit të përcaktuar nga Koncili II i Vatikanit, duke filluar nga Kushtetuta “Sacrosanctum Concilium”. Prandaj, e konsideroj të arsyeshme transferimin në një Zyrë të re pranë Gjykatës së Rotës Romake, të kompetencës për trajtimin e gjyqeve, që e deklarojnë si “të paqenë” martesën e pa konsumuar, si edhe për çështjet e anullimit të shugurimit të shenjtë meshtarak”. Me publikimin e kësaj Motu Proprio – pohon dekani i Rotës Romake, imzot Antoni Stankieviç – realizohet një rinovim normativ historik në kuadrin e Kuries Romake.







All the contents on this site are copyrighted ©.