2011-09-28 18:00:24

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: në Gjermani pashë fytyrën e re të Kishës e gëzimin e katolikëve


Kisha në Gjermani është e gjallë e ka një fytyrë të re. Ky ishte mendimi, që u përçoi sot Papa, besimtarëve të mbledhur në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të cilëve u foli për udhëtimin në Gjermani, ku Benedikti XVI ishte nga data 22 deri më 25 shtator.RealAudioMP3

Një udhëtim “nga veriu në jug, nga lindja në perëndim”, nga Berlini në Erfurt e në Frajburg, për të parë se katolikët gjejnë gëzim në fenë e tyre, për të përforcuar Kishën gjermane në fe dhe për ta këshilluar të çlirohet nga pesha e rëndë materiale, si edhe për t’i bërë më miqësore marrëdhëniet ekumenike e ndërfetare, përveç atyre institucionale. “Ishte një festë e madhe e fesë”, tha sot Papa për vizitën apostolike në Gjermani, duke përshkuar edhe një herë etapat e udhëtimit. Kujtoi fjalimin në Bundestag, i pari, i shqiptuar nga një papë, brenda mureve të parlamentit gjerman:
“Në atë rast, desha të flas për themelet e së drejtës e të shtetit të lirë të së drejtës, për masën e çdo ligji, vulosur nga Krijuesi në krijimin e vet. Është e nevojshme ta zgjerojmë konceptin tonë mbi natyrën, duke e kuptuar jo vetëm si një bashkësi funksionesh, por si gjuha e Krijuesit hyjnor për të na ndihmuar të ndajmë të mirën nga e keqja”.
Berlini ishte edhe vendi, ku Papa mundi të prekë me dorë situatën e marrëdhënieve të Kishës me hebraizmin dhe islamizmin, duke reflektuar, sidomos me botën myslimane, për rëndësinë e lirisë së fesë në zhvillimin paqësor të njerëzimit. Nga kryeqyteti në Turingji, tokë e Reformës Protestante, Benedikti XVI kujtoi takimin me krerët e Kishës Evangjelike në vendet ku jetoi Luteri dhe theksoi sërish se të krishterët e kanë për detyrë ta dëshmojnë së bashku Krishtin:
“Duhet përpjekje e përbashkët në rrugën drejt bashkimit të plotë, por jemi gjithnjë e më të vetëdijshëm se nuk mund ta ‘bëjmë’ ne as fenë e as unitetin e dëshiruar. Feja e krijuar prej nesh nuk ka asnjë vlerë dhe bashkimi i vërtetë është dhuratë e Zotit, i cili është lutur dhe lutet gjithnjë për unitetin e dishepujve të vet. Vetëm Krishti mund të na dhurojë këtë bashkim e, do të jemi gjithnjë e më të bashkuar në masën me të cilën kthehemi tek Ai dhe e lejojmë të na shndërrojë”.
Në rajonin e Ajhsfeldit, e në veçanti, në shenjtëroren mariane të Ecelsbahut, Papa u zhyt në një realitet, ku në të kaluarën, të shpallje se ishe i krishterë do të thoshte të sfidoje regjimin nazist e komunist. Lutjet Mbrëmësore para shenjtërores së Zojës e më pas, Mesha në katedralen e Erfurtit kontribuan, nënvizoi Papa, të venë në dukje edhe një herë forcën që kanë jo vetëm shenjtorët, por edhe sa e sa të panjohur të persekutuar e martirë, për të shndërruar botën:
“Mallëngjyes qe edhe takimi i shkurtër me imzot Herman Shaipers, meshtari i fundit, akoma gjallë, nga kampi i përqendrimit të Dakaut. Në Erfurt, pata rastin të takoj edhe disa viktima të abuzimit seksual nga ana e klerit, të cilëve u shpreha keqardhjen time e afërsinë në vuajtje”.
Pritja që i bënë të rinjtë Atit të Shenjtë në Friburg dhe lutja me ta, e bënë Papën, që gjatë audiencës së përgjithshme të ditës së sotme, të thotë:
“U lumturova kur pashë se feja në atdheun tim gjerman ka fytyrë rinore, është e gjallë e ka të ardhme… U thashë të rinjve se Papa ka besim në bashkëpunimin aktiv të tyre: me hirin e Krishtit, ata janë në gjendje të sjellin në botë flakën e dashurisë së Zotit”.
Në Frajburg, vazhdoi Benedikti XVI, Kisha Katolike dhe Kishat Ortodokse përjetuan çaste të bukura në një atmosferë vëllazërore. Jemi pranë tyre, theksoi Papa, e bashkëndajmë të njëjtën përgjegjësi për rinovimin e shoqërisë. Mendimi i fundit i Atit të Shenjtë qe për forcat e gjalla laike të Kishës Katolike, të cilave u tha fjalë, që patën një jehonë të madhe në media, por që janë të rëndësishme sidomos për bashkësinë lokale të krishterë:
“U fola rreth njëmijë katolikëve të impenjuar në Kishë e në shoqëri, duke u sugjeruar disa reflektime për veprimtarinë e Kishës në një shoqëri të shekullarizuar, me ftesën për t’u çliruar nga barra materiale e politike për të dëshmuar më qartas Zotin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.