2011-09-27 11:20:21

Komenti i imzot Bruno Fortes për vizitën e Papës në Gjermani: fjalët e Benediktit XVI, ato të një reformatori të madh e plot durim


Dy ditë pas vizitës së Papës në Gjermani, mediat e vendit akoma vazhdojnë t’i japin jehonë takimeve e fjalimeve të Benediktit XVI. Bënë përshtypje sidomos fjalët, me të cilat iu drejtua katolikëve të impenjuar në Frajburg, ku e ftoi Kishën të rizbulojë identitetin e saj të vërtetë, të zhveshur nga tundimi i pushtetit dhe nga rreziku i burokratizimit. Duke u nisur pikërisht nga ky fjalim, i kërkuam një koment teologut të njohur italian, imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos:RealAudioMP3
Në fjalimin e “Konzerthaus”-it të Frajburgut, që është si gjithmonë, një fjalim shumë i thellë e me finesë teologjike, Papa paralajmëron për rrezikun e lidhjes me botën në një formë, që mund ta quajmë “mondane”. Ai e fton Kishën dhe njerëzit e saj të zhvishen nga kjo logjikë “mondane” për të qenë një Kishë e pasur vetëm me Zotin e me frymën e Ungjillit. Do të thosha kështu: e varfër nga pasuria e botës për të qenë e pasur me varfërinë e Zotit, që është dashuria e Tij.
Pikërisht për këtë, Ati i Shenjtë theksoi: “E çliruar nga pesha e rëndë materiale e politike dhe nga privilegjet, Kisha mund t’i kushtohet më mirë botës mbarë”. Si duhet interpretuar kjo thënie e Papës, që duket se bën thirrje për veprime konkrete…
…në dritën e asaj, që për mua është çelësi për interpretimin e papnisë së Benediktit XVI. Ky është një Papë reformator: nuk jemi para një Pape konservator – siç thotë dikush – pra me mendjen vetëm te e kaluara. Kemi një Papë, që punon seriozisht, pa u dukur, pa zhurmë, për reformimin e Kishës. E ashtu siç shpjegonte, që në fillim të viteve ’70, në librin “Populli i ri i Zotit”, ky Papë e kupton reformën si rinovim, që na bën ta vendosim Krishtin e Ungjillin e Tij në qendër të jetës. Pikërisht këtë po i kërkon me këmbëngulje Kishës.
Nuk është puna të gjejmë taktika të reja – tha akoma Papa në Gjermani – por ta rikthejmë Kishën në indetitetin e saj të plotë, duke i hequr gjithçka që duket si fe, por që, në të vërtetë, janë konvencione e zakone. Benedikti XVI dënoi edhe rëndësinë tepër të madhe që i jepet organizimit dhe institucionalizimit të Kishës. Si ipeshkëv, si i interpretoni këto fjalë të Papës?
Unë e njoh mjaft mirë Kishën gjermane, sepse kam jetuar gjatë atje, si meshtar, si profesor e si studiues. Kisha gjermane ka aspekte të mrekullueshme, por ka edhe një aspekt, që Papa e njeh mirë, që është burokratizimi i madh i saj, pasi i duhet të administrojë një strukturë jo të vogël. Kjo sjell me vete tundimin për ta konceptuar Kishën si një aparat. Pra, këto fjalë të Papës duhen parë kryesisht në kontekstin gjerman, pavarësisht se në parim, kanë vlerë për Kishën kudo në botë. Papa na fton t’i thjeshtëzojmë gjërat, ta përqendrojmë vëmendjen mbi qëllimin ungjillor, që është shpallja e Jezu Krishtit përmes Fjalës së jetës, në dashuri. Janë fjalë të fuqishme, të guximshme, por vijojnë rrugën e së vërtetës, që Papa e ndjek edhe kur ajo na bën të vuajmë. E ka treguar këtë në rastin e pedofilisë së disa anëtarëve të klerit, që ai vetë i ka dënuar qartë dhe hapur. E ka treguar në vuajtjet që ndjen, duke përjetuar dhimbjen që sjell ky fenomen i shëmtuar, sidomos për viktimat e abuzimeve.
Një tjetër argument, që bëri përshtypje në Frajburg, ishte mendimi i Benediktit XVI për agnostikët në kërkim të Zotit, që janë më afër Hyjit, se sa besimtarët që shkojnë në Kishë vetëm për dukje, ose për përfitime…
Papa u bëri jehonë fjalëve të Ungjillit, ku Jezusi thotë se publikanët e prostitutat do të kalojnë para disa të tjerëve në Mbretërinë e Qiellit. Papa sqaroi se në logjikën e Zotit, hiri nuk trashëgohet, pra, askush nuk mund të pretendojë se është në hirin e Tënzot, vetëm për faktin se i përket Kishës. Duhet që secili të përshkojë rrugën e vet të shenjtërimit të jetës e të kthimit të vazhdueshëm të zemrës kah Zoti, duke shfrytëzuar dhuratat që Hyji na ka dhënë. Vetëm kështu mund t’i pëlqejmë Atit të Gjithpushtetshëm. Hiri nuk është kurrë privilegj: është detyrë. Hiri e detyra shkojnë bashkë.








All the contents on this site are copyrighted ©.