2011-09-26 16:57:38

Presidentet e Konferencave ipeshkvnore evropiane takohen këtë javë në Tiranë për Asamblenë Plenare


Këtë javë do të mbahet në Tiranë, mbledhja plenare e ipeshkvijve presidentë të Konferencave ipeshkvnore katolike të Evropës për zgjedhjen e presidencës së re të këtij organizmi kishtar dhe mbi ungjillëzimin e ri.
E në kryeqytetin e Shqipërisë tashmë gjithçka është gati për pritjen e punimeve të Asamblesë së ardhshme Plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane që do të zhvillohet nga e enjtja me 29 shtator deri të dielën e ardhshme më 2 tetor.
Kryesia e këtij organizmi kishtar me seli në St Gallen të Zvicrës njofton se në qendër të punimeve të Asamblesë së ardhshme Plenare të Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, që do të mbahet për herë të parë në Shqipëri, është: zgjedhja e Presidencës së re të CCEE (Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane) dhe te ma Ungjillëzimit të ri në Evropë.
Asambleja Plenare e ardhshme e Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, me ftesë të arqipeshkvit metropolit të Tiranë-Durrësit dhe Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita.
Pas vizitës historike të të Lumit Papa Gjon Pali II në prill të vitin1993, takimi i Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) do të përbëjë, sipas Kishës lokale shqiptare, ngjarjen kishtare më të rëndësishme të këtyre viteve të fundit për Shqipërinë, kjo edhe për numrin e madh të kardinajve dhe të ipeshkvijve që do të marrin pjesë në këtë takim të rëndësishëm kishtar evropian.
E për të theksuar rëndësinë e veçantë që ky takim përbën për Shqipërinë është edhe dëshira e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sh.T. Z. Bamir Topi, për të takuar prelatët evropianë të premten, më 30 shtator dhe njoftimi i pranisë së Kryeministrit të Shqipërisë, Sh.T Z. Sali Berisha, në hapjen e punimeve të enjten e ardhshme më datën 29 shtator.

Në vitin që shënon 40 vjetorin e Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (1971-2011) (CCEE ), përvjetor ky që do të kremtohet në një mbledhje të veçantë në Romë më 22 nëntor të këtij viti, Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, anëtarë të këtij organizmi (CCEE) do të zgjedhin Presidencën e re të CCEE për pesëvjeçarin 2011-2016 (nga plenarja në plenare). Në detyrën e Presidentit dhe të dy Zv-Presidentëve kanë të drejtë zgjedhjeje të gjithë Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore aktualisht në detyrë.

Për të përcaktuar kontributin e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës për Sinodin e ardhshëm të Ipeshkvijve mbi temën e Ungjillëzimit të ri, thirrur nga Papa Benedikti i XVI për tetorin e 2012 në Vatikan, Këshilli i Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) u ka dërguar një pyetësor Konferencave ipeshkvnore me qëllimin për të mbledhur e për të nxjerrë në dritë ide, situata e propozime mbi temën e Ungjillëzimit të ri.

Në Tiranë, reflektimi mbi këtë temë i është besuar Jean Luc Moens, koordinator i përvojës së misioneve qytetare të kryeqyteteve evropiane, që do të ketë për detyrë të sintetizojë përgjigjet që kanë arritur këtyre javëve në Këshillin e Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), dhe imzot Salvatore Fisichellës, Presidentit të Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin e Ri.

Gjatë punimeve, ipeshkvijve do t’u bëhen të ditura edhe rezultatet e takimit të Sekretarëve të Përgjithshëm që është zhvilluar në qershorin e kaluar në Vilnius (Lituani) pikërisht mbi këtë temë. Takimi i Tiranës do të përbëjë rastin për një punë të përbashkët mbi këtë temë për të gjitha Konferencat Ipeshkvnore të Evropës para Sinodit të Ipeshkvijve.

Pjesa e dytë e punimeve do të përqendrohet mbi shërbimin e Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) për Kishën në Evropë me prezantimin e aktiviteteve të Komisioneve të ndryshme të CCEE: ai i Komisionit Ipeshkvnor Evropian për Mediat (CEEM); i Komisionit Caritas in veritate (emigrimi, mbrojtja e krijuesit, drejtësi e paqe); i Komisionit “Katekeza, shkolla dhe universiteti” dhe i Shërbimit Evropian për Thirrjet e Shenjta(EVS).
Gjithashtu do të paraqiten rezultatet e takimit të 11-të të Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore dhe të takimit të 13-të të Ipeshkvijve të Kishave katolike të ritit Oriental.

Gjatë takimit do të propozohet e do të diskutohet kalendari i aktiviteteve të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) për vitin 2012, mes të cilave do të nënvizohen: Simpoziumi i ardhshëm i ipeshkvijve të Afrikës e të Evropës (Romë, 13-17 shkurt 2012) dhe Kongresi mbi katekezën (Romë, 7-10 maj 2012).

Përsa i përket aktiviteteve të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) në kontekstin e dialogut ekumenik, si dhe dialogun me Konferencën e Kishave Evropiane (KEK), do të prezantohet vëllimi që përmban procedurat e Forumit II Evropian Katoliko-Ortodoks (mbajtur në Rodi, Greqi, 18-22 tetor 2010) mbi temën Marrëdhënia Kishë e Shtet: perspektivat historike dhe teologjike, e do të vendoset delegacioni katolik që do të marrë pjesë në Forumin III Evropian Katoliko-Ortodoks programuar për në Lisbonë të Portugalisë, më 4-8 qershor 2012.
Gjatë takimit do të emërohen edhe anëtarët e Komitetit organizativ të Ditëve të 2-ta Sociale Evropiane të realizuara së bashku me ComECE e parashikuar në 2013.

Në kontekstin e shërbimit të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) për Kishën në Evropë do të prezantohet Portali i Informacionit Institucional i Konferencave Ipeshkvnore në Evropë - Eurocathinfo.eu, (online brenda fundit të vitit), e Intranet i Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE-së).

Një pjesë e punimeve pastaj do t’i kushtohet dialogut me Institucionet Evropiane (Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës) nëpërmjet kontributit të imzot. André Dupuy, Nunci Apostolik në Bashkimin Evropian; imzot Aldo Giordano, Vëzhgues i përhershëm në Këshillin e Evropës dhe imzot Piotr Mazurkiewicz, Sekretar i përgjithshëm i Konferencës së Ipeshkvijve të Komunitetit Evropian (ComECE). Do të jetë rasti edhe për të paraqitur aktivitetet e Observatorit mbi rastet e diskriminimit dhe të intolerancës ndaj të krishterëve në Evropë.

Gjatë takimit, presidentët do të marrin gjithashtu disa njoftime të shkurtra mbi udhëtimet e fundit të Papës Benediktit XVI, në veçanti: kardinali Josip Bozanić, arqipeshkëv i Zagrebit dhe zv. President i CCEE, do të referojë mbi vizitën e Benediktit të XVI në Kroaci (4-5 qershor); kardinali Antonio Maria Rouco Varela mbi Ditën Botërore të Rinisë (Madrid, 16-21 gusht) dhe ipeshkvi i Aachen, imzot Heinrich Mussinghoff, mbi vizitën e Papës në Gjermani në program nga 22-25 shtatori. Do të jetë një rast për të verifikuar ndikimin në nivelin lokal e për të reflektuar mbi magjisterin e Papës gjatë këtyre takimeve.

Më pas, së bashku me Fortlumturinë e Tij Fouad Twal, Patriarkun e Jerusalemit të Latinëve, do të reflektohet se si të ndihmohen të krishterë në Tokën e Shenjtë. Gjithnjë në Tiranë, pjesëmarrësit do të informohen edhe mbi dy takimet e ardhshme botërore që nënvizojnë aspekte kyçe të misionit të Kishës katolike e që do të zhvillohen në Evropë: kardinali Angelo Bagnasco, Arqipeshkëv i Gjenovës e President i Konferencës ipeshkvnore italiane do të prezantojë takimin Botëror të Familjeve, në program në Milano të Italisë nga 30 maj-2 qershor 2012, dhe kardinal Seán B. Brady, arqipeshkëv i Armagh e President i Konferencës ipeshkvnore irlandeze mbi Kongresin 50-të Eukaristik Ndërkombëtar në Dublin nga 10-17 qershor 2012.

Ditët do të shënohen nga momentet e lutjes e kremtimet eukaristike. Në veçanti prelatët katolikë evropianë do të kremtojnë Eukaristinë (Meshën Shenjte) çdo ditë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë së bashku me bashkësinë e krishterë lokale: të enjten, më 29 shtator në orën 18.30; të premten, më 30 e të shtunën, më 1 tetor në orën 7.30 e të dielën, më 2 tetor në orën 11.00.

Në takimin e Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës do të marrin pjesë edhe, për Selinë e Shenjtë, kardinal Marc Ouellet, Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë; Imzot. Ramiro Moliner Inglés, Nunci Apostolik në Shqipëri dhe delegatët e organizatave kontinentale si SECAM (Simpoziumi i Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit) dhe CELAM (Këshilli Ipeshkvnor Latinoamerikan).

Aty ku nuk është specifikuar një program, takimi do të jetë me dyer të mbyllura. Në përfundim të punimeve do të shpërndahet një komunikatë shtypi.

Në Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) bëjnë pjesë në cilësinë e anëtarëve aktualë 33 Konferenca ipeshkvnore të pranishme në Evropë, të përfaqësuara nga presidentët e tyre, arqipeshkvijtë e Luksemburgut, të Principatës së Monakos, të Maronitëve të Qipros dhe ipeshkvi i Chişinău (Moldavia).

Kujtojmë se aktualisht President Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane është kardinali Péter Erdő, arqipeshkëv i Esztergom-Budapest, Primati i Hungarisë; Zv. Presidentët janë kardinal Josip Bozanić, arqipeshkëv i Zagrebit dhe kardinali Jean-Pierre Ricard, arqipeshkëv i Bordeaux. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropës (CCEE) është Atë Duarte da Cunha. Selia e sekretarisë është në St. Gallen (Zvicër).







All the contents on this site are copyrighted ©.