Më 26 shtator kalendari përkujton shenjtorët martirë, Kozma e Damiani.
Kozma e Damiani lindën në Egjea, e pikërisht në Cilicí, studiuan mjekësi në Siri e
u martirizuan në Çiro nën perandorin Dioklecian. Gjithë jetën ia kushtuan mjekimit
të të sëmurëve, pa kërkuar asnjë shpërblim. Prej këndej u quajtën anàgiri, fjalë greke
që do të thotë të punosh pa shpërblim. E përdorën mjekimin e të sëmurëve si mjet të
rëndësishëm të apostullimit të krishterë. E pikërisht gjatë këtij apostullimi, në
vitin 303 u kapën, u torturuan dhe u martirizuan, së bashku me shumë të krishterë,
të cilëve u kishin shëruar korpin e shpirtin. Iu pre koka në Çiro, ku edhe u varrosën.
Për nder të tyre qyteti i Çiros pati ngritur që në shekullin IV një bazilikë madhështore,
së cilës iu shtua tempulli i ndërtuar nga perandori Justinian, si shenjë mirënjohjeje
për shërimin nga një sëmundje vdekjeprurëse me ndërmjetësinë e dy martirëve. Me sa
duket 26 shtatori, dita e përkujtimit të shenjtorëve, përkon me shugurimin e bazilikës
romake që mban emrin e tyre, ngritur nga Feliçi IV (525-530). Kulti i Shenjtorëve
u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme në të gjitha qytetet kryesore të perandorisë,
ku nisën të kalojnë nga goja në gojë mrekullitë që kishin bërë. E kudo: që nga Kostandinopoja,
në Bullgari, Greqi, Jerusalem e më pas në gjithë botën perëndimore, duke filluar nga
Roma – u ngritën Kisha e kuvende të njohura me emrin e vëllezërve mjekë e martirë.
Kështu historia e vërtetë e jetës së tyre nisi të merrte më shumë karakterin e gojëdhënës.
Një gjë e dimë me siguri: Shën Kozma e Damiani donin t'i përngjisnin Jezusit: prandaj
edhe u martirizuan e prandaj shëruan trupin e njerëzve që u drejtoheshin për ndërmjetësim,
për t'u kthyer atyre dinjitetin e bijve të Hyjit! Ikonografia e tyre është jashtëzakonisht
e pasur, sidomos në Itali, Francë e Gjermani, ku jetën e dy shenjtorëve e ilustruan
artistë si i Lumi Angjeliko, Filipo Lipi e Sandro Botiçeli. Ndër figure paraqiten
me palmë e me instrumentet e kirurgut.