2011-09-26 16:05:41

Bilanci i atë Lombardit për udhëtimin e Papës në Gjermani: të gjithë mund të jemi në rrugë drejt Zotit


Të shumta, rrugët e drejtimet, që përshkoi Papa me reflektimet e tij, gjatë vizitës në Gjermani. Për një bilanc më të hollësishëm, të dëgjojmë zëdhënësin e Vatikanit, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
Qe një udhëtim jashtëzakonisht i përshkuar nga një fill i vetëm, përreth motos “Ku është Zoti, atje është e ardhmja”, sepse Papa iu referua Zotit në të gjitha ndërhyrjet e tij në mënyrë të qartë e të thellë. E kjo na jep mundësinë ta kuptojmë këtë udhëtim si një të tërë, megjithëse u zhvillua në shumë drejtime. Në ditën e parë, sidomos fjalimi, që iu drejtua tërë shoqërisë gjermane, edhe përfaqësuesve të saj politikë e autoriteteve më të larta; pastaj qe përmasa e dialogut ekumenik dhe ndërfetar; natyrisht, theksi i veçantë mbi përmasën e marrëdhënieve me Kishën Evangjelike gjermane në vendin e kujtesës së Luterit. Papa vuri në dukje pyetjet e Luterit mbi Zotin, si pyetje të jetuara me përshpirtëri të thellë. Kjo mund të jetë pikënisja e rrugës së përbashkët. Pastaj, kemi përmasën e takimit të Kishës Katolike gjermane me Papën, i cili është ai që e përforcon në fe. Ai, që e inkurajon edhe në situata të ndryshme, shumë emocionuese, si ajo e lutjes me të krishterët, që ndodheshin në Gjermaninë Lindore, në këtë diasporë, ku pas nazizmit, edhe regjimi komunist vazhdoi ta sprovojë Kishën e jetën e saj.

Papa tha: “Nuk kanë vlerë fjalët, por veprat”. Dje, në Frajburg, gjatë meshës, Benedikti XVI theksoi se agnostikët, që nuk gjejnë paqe, sepse i bëjnë vetes shumë pyetje për Zotin, janë më afër Mbretërisë së Hyjit se ata besimtarë, që janë katolikë vetëm në dukje…

Kjo frazë do të thosha se përshkruan mirë një nga qëllimet e udhëtimit, atë për të ndihmuar burrat e gratë e sotme të gjejnë Zotin, ta takojnë Atë. Ja pra, edhe kjo shenjë kujdesi për agnostikët: më duket se në një shoqëri të shekullarizuar, ky është një mesazh shumë domethënës. Të gjithë mund të jenë për rrugë drejt Zotit, megjithëse me mënyra të ndryshme nga feja.
Duke iu drejtuar katolikëve gjermanë, Papa theksoi se për ta gjallëruar Kishën nuk kemi nevojë për taktika, por për sinqeritet ndaj së vërtetës…

Këto qenë fjalë mjaft të fuqishme, që Papa i tha në Frajburg para asamblesë së përfaqësuesve të laikatit të impenjuar në Kishë e në shoqëri. Qenë fjalë që bënë përshtypje e i nxitën njerëzit të reflektojnë. Vlera e merita e madhe e Kishës në Gjermani, e cila është shumë e frytshme në fushën shoqërore, nuk duhet ta largojë atë nga baza për çdo besimtar: rrënjosja e fesë e mbështetja mbi Zotin e mbi Jezu Krishtin, ku e kanë zanafillën të gjitha motivacionet e veprimtarisë sonë, e cila frymëzohet nga kritere ungjillore.

Dy takime të rëndësishme, para kthimit të Papës në Vatikan, qenë dreka me ipeshkvijtë dhe takimi me magjistratët e Gjykatës Kushtetuese…

Këto dy takime, gjatë të cilave nuk ka pasur fjalime publike, qenë shumë domethënëse. Papa iu drejtua ipeshkvijve gjermanë gjatë drekës, me dashuri dhe mirëkuptim. Fjalë, që treguan se ai e ndjen veten afër problemeve të Kishës në Gjermani. Probleme jo të vogla, me qëndrime e debate për rrugët, që duhen ndjekur në baritorinë për botën e sotme, në situata jo të lehta, përsa u përket marrëdhënieve me shoqërinë. Veçanërisht domethënës, për mendimin tim, ishte takimi me magjistratët e Gjykatës Kushtetuese. Në fjalët e tij, Papa iu referua qartë Kushtetutës Gjermane, një dokument, për të cilin të krishterët, katolikët e asaj kohe, kanë dhënë një kontribut themelor. Papa iu referua, duke e lidhur me temën e Zotit, sepse në premisat e Kushtetutës thuhet “…në përgjegjësinë tonë para Zotit e para njerëzve”. Të takosh gjykatësit do të thotë të takosh ata, që faktikisht, janë rojtarët e besnikërisë ndaj Kushtetutës në jetën e vendit.

Në ceremoninë e lamtumirës, Ati i Shenjtë përsëriti moton e udhëtimit e theksoi se aty ku Zoti është i pranishëm, aty ka shpresë e hapen perspektiva të reja. Por cilat janë këto perspektiva, duke pasur parasysh fjalët e Papës në këtë udhëtim?

Kam përshtypjen se Papa e la këtë si detyrë për vendasit. Benedikti XVI u la si detyrë atyre, që merren me ekumenizmin, të rinisen nga thesari i madh i përbashkët, që është feja, që janë pyetjet e mëdha mbi Zotin. Mesazhi është ky: duke u nisur nga përparësia themelore e papnisë së Atit të Shenjtë, nga vendosja e marrëdhënieve me Zotin në qendër të vëmendjes, nga përmasa trashendentale fetare e jetës personale dhe e jetës së shoqërisë, të përvijohet misioni i shpalljes së kësaj përmase, shpallja e saj praktike në të gjitha drejtimet e jetës së përditshme. Papa foli në nivelin e mesazheve themelore, por zbatimin e tyre në jetën konkrete ia lë impenjimit të përditshëm të atyre, që e dëgjuan.







All the contents on this site are copyrighted ©.