E diel 25 shtator Kisha kremton të dielën e 26-të gjatë vitit e po sot më
25 shtator sipas kalendarit kishtar përkujtohen shën Firmini, ipeshkëv i Amiensit
e martir, shën Kleofa dhe shën Serxho i Radonezit. Duke shpallur mbretërinë e Zotit,
Jezusi na ka sjell faljen e Hyjit Atë dhe na fton në pajtim e falje të anasjelltë
mes njëri tjetërit. Ashtu sikur Zoti na falë, edhe ne duhet ti falim të tjerët.
Të
hënën më 26 shtator, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Kozmaj e Damjani,
martirë dhe shën Nilin, abat, themelues i manastirit të Grottaferratës, afër Romës,
në të cilin jetojnë e veprojnë murgjit e shën Bazilit, të ritit bizantin. Ndër këta
murgjër të shën Bazilit, ka edhe shumë arbëreshë.
Të martën e ardhshme më
27 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Vincenc de' Paolin, meshtar, themelues
i Kongregatës së Misioneve e të Bijave të Dashurisë, pajtor qiellor i të gjitha Shoqatave
të Bamirësisë. Festa e tij na tregon se Jezusi erdhi në botë për ta çliruar njeriun
nga shejtani. Fitorja e tij është e sigurtë, sepse ai është më i fortë. E si mund
të mos mbajmë anën e tij? Kush e gënjen veten se mund të luftojë i vetëm, jo vetëm
që do të bjerë në kthetrat e së keqes, por nuk do të mund të çlirohet më prej saj.
Të
mërkurën më 28 shtator, bie përkujtimi i shën Vençeslaut dukë i Bohemisë dhe shën
Lorencit Ruiz me shokë, martirë. Përballë lajmeve që dëgjon për Jezusin, edhe Herodi
mbetet me gojë hapur nga çudia. Për njerëzit e kohës, Krishti ishte profet i së kaluarës,
i ngjallur përsëri. Në se edhe ne mendojmë kështu, gënjehemi keqas e rrezikohemi të
mos e kuptojmë të renë që na sjell Jezusi, e cila nuk i përket një kohe të caktuar,
por të gjitha kohërave, deri në ditën e fundit të botës.
Të enjten më 29
shtator, Kisha na fton të bashkojmë zërat në korin e engjëjve në festën e Kryeengjëjve
Mikelit, që do të thotë ‘Kush është si Zoti’; Gabrielit që do të thotë ‘forca e Hyjit’
e Rafaelit që do të thotë ‘ilaçi i Zotit’. Këta kryeengjëj na tregojnë se Hyji nuk
na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të
shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut.
Të premten
më 30 shtator, kalendari përkujton shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës,
që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet Fjalën Hyjnore.
Gjithnjë të premten kalendari kishtar përkujton edhe shën Françesk Borgjen, jezuit.
Të
shtunën që vjen më 1 tetor, bie përkujtimi i shën Terezës së Jezusit Fëmijë,
virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve. Në liturgjinë e festës,
profeti na kujton se Zoti bën mrekulli, që ne mund të na duken të pamundura, ndërsa
më pas leximi i Ungjillit na siguron se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur e se praninë
e tij e shikojmë vazhdimisht ndër fëmijët e në të gjithë njerëzit e pambrojtur.
Të
dielën e ardhshme më 2 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 27-të gjatë vitit
kishtar. Gjithnjë të dielën më 2 tetor bie edhe festa e Engjëjve të Rojës. Kjo e kremte
na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë.
Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak
jashtë radhëve të saj