2011-09-25 17:13:33

Mbi 100 mijë besimtarë të pranishëm në Meshën e Papës në Frajburg. Para Zotit nuk vlejnë fjalët, por veprat


Para Zotit “nuk vlejnë fjalët”, por veprat, nismat e kthimit dhe të fesë”. Kështu u shpreh Papa Benedikti XVI duke komentuar shëmbëlltyrën ungjillore mbi dy bijtë e një babai që ftoi të punonin vreshtin, marrë Ungjilli i Mateut. Para turmës së gati mase një qind mijë besimtarëve, bashkë me ipeshkvijtë e ardhur nga të gjitha dioqezat gjermane, Papa Ratcinger kryesoi Meshën e Shenjtë dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot në fushën e aeroportit të Frajburgut, në ditën e fundit të udhëtimit të 21-të apostolik ndërkombëtar. Në ora 19,15 Papa Benedikti XVI u nis nga Gjermani drejt Romës, për t’u kthyer në mbrëmje në Kastelgandolfo.

Një ditë me diell pranveror e shoqëroi ngjarjen e fundit të madhe kremtuar nga Benedikti XVI në fushën e aeroportit të Frajburgut, në kornizën e jashtëzakonshme të Pyllit të Zi. Që në orët e mëngjesit, me dhjetëra mijëra besimtarët u mblodhën në mënyrë të rregullt në vendin e caktuar për kremtimin e Meshës së Shenjtë dhe për lutjen e Engjëllit të Tënzot me Papën.

Para gati njëqind mijë besimtarëve, Atin e Shenjtë Jozef Ratcinger e përshëndeti kryeipeshkvi i Frajburgut, imzot Robert Zolltisch, i cili përkujtoi moton e këtij udhëtimi papnor “Ku është Zoti, aty ka ardhmëri” dhe falënderoi Papën Benediktin XVI për inkurajimin dhënë katolikëve gjermanë duke “përforcuar fenë e tyre të krishterë” e duke i ftuar të jenë “të qëndrueshëm e të patundur në shpresën” e dashurisë së Zotit në Eukaristinë Shenjte, në mënyrë që forca që vjen nga ajo, “të na ndihmojë në ndërtimin e një kulture dhe të një qytetërimi të dashurisë në Gjermani e në Evropë”.

Para fillimit të Meshës së Shenjtë, në të cilën morën pjesë edhe disa përfaqësues të Kishave ortodokse e lindore, Benedikti XVI përshkoi gjatë në mesin e turmës së besimtarëve, të cilët e përshëndet përzemërsisht me duartrokitje të gjata e brohoritje, veçanërisht të katolikëve të jugut të Gjermanisë, që përbënin numrin më të madh të besimtarëve, por nuk munguan as grupe tjera të ardhura nga Vendet e rajonit, e ndër të pranishmit shënojmë edhe pjesëmarrjen e një grupi shqiptarësh që jetojnë në vende të ndryshme të Gjermanisë.

Homelinë e Meshës, Papa e përqendroi mbi mundësinë që kemi për t’i dhënë një perspektivë të krishterë realitetit të kohëve tona dhe Ungjillin e paraqiti si bazë themelore për orientimin e jetës të të krishterëve të sotëm. “Para të gjitha sendeve të tmerrshme që ndodhin sot në botë” - tha Papa – janë disa teologë që “thonë se Zoti nuk mund të jetë i Gjithëpushtetshëm”. Kisha, pra, duhet t’i kundërvihet me vendosmëri e rigorozitet këtij pohimi:

“Ne jemi të lumtur e mirënjohës që Ai është i gjithëpushtetshëm. Por, në të njëjtën kohë, duhet të jemi të vetëdijshëm se Ai e ushtron pushtetin e vet në një mënyrë krejtësisht tjetër e të ndryshme nga mënyra se si bëjnë njerëzit. Ai vet i ka vu një kufizim pushtetit të tij, duke njohur e respektuar lirinë e krijesave të tij”.

Zoti, pra, dëshiron shpëtimin e popullit të vet, por pa detyrime:

“E për bërë në mënyrë që pushteti i përdëllimit të Tij të mund ti prek zemrat tona, lyet gatishmëria jonë për të braktisur të keqen, për t’u ngritur në këmbë para indiferencës e për ti dhënë hapësirë Fjalës së Tij në jetë”.

Duke iu kthyer leximeve biblike të liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele e posaçërisht shëmbëlltyrës së dy vëllezërve të ftuar nga ati i tyre për të punuar në vresht, Benedikti XVI i ftoi katolikët gjermanë të ndërmarrin një angazhim përherë e më konkret në ushtrimin e fesë së tyre: “Nuk kanë rëndësi fjalët, por veprat, vlen kthimi në fe”, tha Papa e shtoi:

“Përkthyer në fjalorin e kohës sonë, pohimi mund të tingëllonte pak a shumë kështu: agnostikët, që pyesin mbi çështjen e Zotit më mirë se, që janë të shqetësuar nuk gjejnë paqe; njerëzit që vuajnë për arsye të mëkateve tona, por e kanë vullnetin e synojnë të kenë një zemër të pastër, janë më afër Mbretërisë së Hyjit se sa janë besimtarët e ‘zakonshëm’ e të ‘rregullt’, që në Kishë shohim vetëm një vegël apo një instrument, sepse zemra e tyre nuk preket e nuk përshkohet nga feja”.

E pikërisht duke marrë shkas nga ky reflektim, Benedikti XVI i lëvdoi pasuritë e institucioneve baritore, shoqërore e bamirëse të Kishës në Gjermani, në të cilat, thotë, “dashuria për të afërmin konkretizohet e zbatohet në një formë, e cila edhe nga pikëpamja shoqërore është efikase e madje shkon në të gjitha skajet e tokës”, por rrezikon të jetë një impenjim jo i plotë nëse harrojmë themelin e mësimit të Jezusit:

“Zemra e hapur, që përshkohet nga dashuria e Krishtit, që i jep të afërmit, që ka nevojë për ne, më shumë se një shërbim teknik: ajo i jep dashurinë, në cilën tjetrit i tregon në mënyrë të dukshme Zotin që e do, Krishtin”.

Përtëritja e Kishës, në analizën e fundit, vijoi Benedikti XVI, mund të realizohet vetëm përmes gatishmërisë për t’u kthyer tek Zoti e përmes fesë së ripërtërirë e të përfocuar:

“Kisha në Gjermani do të vazhdojë të jenë bekim për bashkësitë katolike botërore, nëse mbetet besnikërisht e bashkuar me Pasardhësin e shën Pjetrit e të Apostujve, nëse kujdeset dhe kultivon në mënyrë e fusha të ndryshme bashkëpunimin me Vendet e misioneve dhe nëse ‘përshkohet’ nga gëzimi i vërtetë në fenë e Kishave të reja”.

Bashkimi e universaliteti i Kishës, pra, janë tiparet që Kisha gjermane duhet ti ketë si objektiv për të vijuar “të jetë bekim për bashkësitë katolike të botës”. Përgjigjja pozitive, ‘po-ja’ thënë Zotit nga ana e çdo katoliku – ripohoi Papa në reflektimin e tij gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot në mbarim të Meshës Shenjte – mbetët shtyllë mbi të cilën ndërtohet e mbështetët feja jonë:

“Atëherë, edhe në jetën tonë dashuria e Zotit do të bëhet gati mish, do të mishërohet, do të marrë përherë më shumë formë. Nuk duhet të kemi frikë në mesin e të gjitha shqetësimeve, sepse Zoti është i mirë”.

Pas Meshës së Shenjtë, Papa drekoi në Seminarin e Frajburgut me 90 ipeshkvij gjermanë pasi që me 27 ipeshkvijtë ordinarë të dioqezave e kryedioqezave të Gjermanisë janë ftuar edhe ipeshkvijtë ndihmës dhe të pensionuar.

Sot pasdite, në programin e ditës së fundit të vizitës apostolike shtetërore të Papës ishte takimi i tij me gjyqtarët e Gjyqit Kushtetues Federal dhe takimi me katolikët e impenjuar në Kishë e në shoqëri. Takime këto domethënëse që përmbyllin e përfundojnë këtë udhëtim të tretë e të jashtëzakonshëm të Papës Ratcinger në atdheun e tij.
Më hollësisht mbi ditën e katërt e të fundit të vizitës së Papës në Gjermani, të ndjekim shërbimin e gazetarit Albert Bisaku.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.