2011-09-25 18:12:57

Atë Federiko Lombardi: vizita e Papës në Gjermani mes kujtesës e së ardhmes


Përfundoi sot udhëtimi i 21-të i Papës në Gjermani, që e çoi Benediktin XVI në Berlin, Erfurt e Frajburg. Pikërisht në Erfurt, Ati i Shenjtë mori pjesë në një kremtim të ndjerë ekumenik, së bashku me luteranët, ku vuri në dukje bazat e fesë së përbashkët në Krishtin. Nga një këndvështrim tjetër, flet sot, në komentin javor, për të njëjtin argument, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili e shoqëroi Papën, si zakonisht, në vizitën e tij apostolike. Për atë Lombardin, është ekumenizmi i martirëve, baza për ekumenizmin e sotëm. Ta dëgjojmë:
“Nuk mund të kalohet nga Berlini, pa ndjerë peshën e faqes më të zezë në historinë e Gjermanisë dhe të Evropës së shekullit të kaluar: vitet e nazizmit dhe çmendurinë e tij të pushtetit e të vrasjes.
Kujtesë fort e pranishme në fjalët e Papës gjerman në mesin e popullit të vet, kur, duke cituar shën Augustinin, flet për “bandën e horrave”, në të cilën reduktohet një shtet pa të drejta e pa drejtësi, ose kur përmend me intensitet, së bashku me Delegacionin Hebraik, planifikimin kriminal të Shoah-ut dhe shenjën paralajmëruese të tij në “Natën e Kristaleve” të vitit 1938.
Kujtesë që u evokua qartë para syve të të gjithëve, nga dhurata e veçantë që i ofroi Papës dioqeza e Berlinit: imazhi i njërës prej dritareve të burgut famëkeq të Plëtcense, ku nazistët varën, ose ua prenë kokën me gijotinë gati 3 mijë vetëve, vetëm se ishin opozitarë.
Por pikërisht, martirët e nazizmit janë drita intensive, që vazhdon të ndriçojë e të frymëzojë ndërtimin e së ardhmes. Presidenti Federal kujtoi tre prej tyre, të zgjedhur mirë: Lihtenberg, famullitari i katedrales katolike të Berlinit, Bonhofer, teologu i madh protestant, Edit Shtajn, bija e Izraelit, që u bë rregulltare katolike dhe u vra në Aushvic.
Ekumenizmi i martirëve është dëshmia, ku duhet të mbështetet ekumenizmi i sotëm, me entuziazëm e reflektim të thellë. Të dëshmosh Zotin e Jezu Krishtin, duke e paguar me jetë: ç’bazë e përbashkët mund të jetë më e patundur e më e gjallë se kjo, për të vazhduar rrugën e shpresës në një bashkim, i cili nuk duhet të mbetet vetëm në të kaluarën, por duhet ta kemi edhe para nesh?”







All the contents on this site are copyrighted ©.