2011-09-24 14:58:24

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit ‘A'


Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Zoti thërret. Sot, nesër, gjithmonë. Thërret të gjithë pa dallim, pa përjashtim, thërret të ri e të moshuar, të mirë e të këqij….e të gjithëve na i mëson udhët e Tija hyjnore, po kështu nuk lodhët së treguari udhën e jetës mëkatarëve. Edhe ne, pra, duan tij ndjekim udhët e Zotit, t’i përmbahemi udhëzimeve të Tija, mirëpo para së gjithash kemi nevojë për faljen e përdëllimin e Tij Hyjnor. Përkatësia në popullin e Zotit duhet të dëshmohet me vepra e jo me fjalë.

Zoti pra, kërkon prej njeriut zbatimin e drejtësisë në mënyrë që të mund të shpëtohet e të jetojë për amshim. Kështu pohon leximi i parë nga Ezekieli profet.
Shën Pali na fton të imitojmë Krishtin: të kemi të njëjtat ndjenja që qenë në Krishtin Jezus.
Jeta e krishterë nuk ndërtohet e nuk përbëhet prej qëllimeve të mirave, por nga dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe nga masa që zbatojmë në jetën e përditshme Fjalën e dëgjuar të Hyjit. Më tepër këtu mund ti dëgjoni leximet biblike e komentin…RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Ez 18, 25-28)
Nëse i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet, ai ia kthen jetën vetvetes.

Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti: “Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes. Ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e jo, nuk do të vdesë.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 25 (24)
Ref: Le të bie ndër mend, o Zot, dashuria jote.
_____________________________
Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
_____________________________
Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:
të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate,
- për hir të mirësisë sate, o Zot.
_____________________________
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
të përvujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
_____________________________

Leximi i dytë (Fil 2, 2-11)

Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.

Vëllezër, nëse vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri, mbani njëri-tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë.
Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 21, 28-32)

Tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve dhe kryetarëve të popullit: “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ Ai i përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai i përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?”
I thanë: “I pari!”
“Përnjëmend po ju them, – vazhdoi Jezusi – tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë, e ju nuk i besuat; tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”
Fjala e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.