2011-09-23 12:52:55

Papa në takim me myslimanët që janë në Gjermani: dialogu sjell fryte, respekti i dinjitetit të njeriut le të jetë themeli i shoqërisë


Intoleranca që nganjëherë shfaqet ndaj bashkësisë islame në Evropë lind nga një keqkuptim. Për këtë është i bindur Papa Benedikti XVI i cili trajtoi këtë temë në fjalimin e tij me përfaqësuesit e islamit në Gjermani, gjatë takimit të sotëm të përzemërt ndërfetar mbajtur paradite në Nunciaturën Apostolike në Berlin.
“Shumë myslimanë i japin rëndësi të madhe përmasës fetare. – tha Papa Ratcinger – Kjo, nganjëherë, është interpretuar si provokim në një shoqëri që anon ta mënjanoi këtë aspekt apo në të shumtën e rastit ta pranoi në sferën e përcaktimeve private të individëve”.
“Edhe Kisha Katolike - shtoi Benedikti XVI – impenjohen vendosmërisht që të njihet e të pranohet me të drejtë përmasa publike e përkatësisë fetare në shoqëri. Është fjala për një kërkesë që aspekti shpirtëror të mos bëhet e të mos konsiderohet si i parëndësishëm në kontekstin e një shoqërie gjithnjë e tepër pluraliste. Sipas Papës, si nga ana e myslimanëve si e po kështu edhe nga të gjithë njerëzit e besimeve tjera, “duhet pasur kujdes e kushtuar vëmendje në mënyrë që ndaj tjetrit të ketë gjithmonë respekt”.
“E respekti i anasjelltë rritet vetëm mbi bazën e mirëkuptimit mbi disa vlera të pacenueshme, që janë pjesë e natyrës njerëzore, sidomos dinjiteti i pacenueshëm i njeriut”. E kjo, shpjegoi Papa Ractinger para delegacionit të bashkësive myslimane të pranishme në Gjermani – nuk e kufizon lirinë e shprehjes së feve të veçanta; përkundrazi, secilit njeri i mundëson dëshmimin e asaj në çka beson në mënyrë pozitive, duke mos u tërhequr nga ballafaqimi me tjetrin”.
“Bashkëjetesa e mirë e njerëzve që i përkasin feve të ndryshme, sinqeriteti, dashamirësia, çiltërsia, dialogut ndërfetar dhe dëshmia e përbashkët e të krishterëve dhe myslimanëve për vlerat e drejtësisë e të paqes – vërejti nga ana tij presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike gjermane imzot Robert Zollitsch në përshëndetjen e shkurt në fillim të takimit – janë objektivat që Benedikti XVI, i kultivon përherë e u kushton vëmendjen dhe angazhimin e tij si teolog e si Papë. Këto – siguroi ipeshkvi gjerman – janë edhe objektivat e ipeshkvijve e të mbarë Kishës Katolike në Gjermani.
Koncepte të ngjashme u shprehen edhe nga profesor Mouhanad Khorchide i cili e përshëndeti Papën në emër të krejt delegacionit. Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger në përgjigjen e tij, vuri në pah “atmosferën aktuale të respektit e të besimit ndërmjet Kishës Katolike dhe bashkësive myslimane në Gjermani”.
“Berlini është vend i volitshëm për një takim të tillë, – përfundoi Benedikti XVI – jo vetëm pse këtu gjendet xhamia më e lashtë në tokën gjermane, por edhe sepse në Berlin jeton një numri më i madh i myslimanëve në krahasim me të gjitha qytetet tjera në Gjermani”.







All the contents on this site are copyrighted ©.