2011-09-22 18:24:54

Papa gjatë meshës në Olympiastadion të Berlinit: të qëndrojmë të rrënjosur në Krishtin.


Pas takimeve me autoritetet shtetërore dhe parlamentin e Gjermanisë, me përfaqësuesit e bashkësisë hebraike gjermane, në ora 18.30 Ati i Shenjtë Ratcinger kremtoi Meshën e Shenjtë në Olympiastadion të Berlinit. Po në këtë vend, i Lumi Gjon Pali II pat kremtuar Meshën e Shenjtë më 23 qershor 1996, me rastin e Beatifikimit të Karl Leisner e të priftit të Katedrales së Berlinit, Bernhard Lichtenberg.
E gjatë homelisë së Meshës, Papa iu referua Ungjillit të sotëm, që flet për hardhinë dhe shermendet nënvizoi: “Kush beson në Krishtin, ka të ardhme”. “Në shëmbëlltyrën e hardhisë, Jezusi nuk thotë: “Ju jeni hardhia”, por: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (Gjn 15,5. Kjo do të thotë: “Ashtu si shermendet janë të lodhur për hardhi, kështu ju jeni të lidhur për mua, jeni të mitë.! E duke më përkitur mua, i përkisni njëri tjetrit”. E kjo përkatësi njëri tjetrit dhe Atij nuk është çfarëdo marrëdhënie tjetër ideale, e imagjinuar, simbolike, por – do të thosha gati gati – një përkatësi Jezusit në kuptimin biologjik, plotë gjallëri. Kisha është kjo bashkësi jete me Të e njëri për tjetrin, që bazohet në Pagëzim e thellohet e përforcohet çdo herë më shumë në Eukaristi. “Unë jam hardhia e vërtetë”; ky pohim, në realitet do të thotë; “Unë jam ju e ju jeni unë” – një identifikim i padëgjuar ndonjëherë i Zotit me ne, që jemi Kisha e tij”.
Jezusi vazhdon: “Unë jam hardhia e vërtetë, e Ati im është bujkut” (Gj 15,1), ai i pret shermendet e thata e i punon ato që sjellin fryte në mënyrë që të sjellin më shumë fryte. Zoti do të heq nga kraharori ynë zemrën e vdekur, prej guri, për të na dhënë një zemër të gjallë, prej mishi (krh Ez 36,26). Ai do të na dhurojë një jetë të re e plotë fuqi.
Papa në vijim të homelisë nënvizoi se “Krishti ka ardhur për ti thirrur mëkatarët. Janë ata që kanë nevojë për mjek, jo të shëndoshët (krh Lk 5,31). E kështu, siç thotë Koncili II i Vatikanit, Kisha është “sakrament i shpëtimit” (Lumen Gentium, 48) që ekziston për mëkatarët, për ta hapur jetën e tyre ndaj kthimit tek Zotit, ndaj shërimit dhe jetës”.
Në homelinë e tij Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger u ndal edhe një temë tjerë: “Disa e shikojnë Kishën duke u ndal te aspekti i saj i jashtëm. Atëherë Kisha duket si njëra ndër shumë organizmat e një shoqërie demokratike, sipas së cilës normat e ligjet, pastaj, duhet të gjykohen e të trajtohen edhe një figurë kaq e vështirë për t’u kuptuar siç është Kisha”. Nëse pastaj shtojmë edhe përvojën e dhimbshme që në Kishë ka peshq të mirë e të këqij, grurë e egjër, e nëse vështrimi mbetët i përqendruar vetëm mbi këto gjëra negative, atëherë nuk hapemi më ndaj misterit të madh e të thellë të Kishës. Prandaj, nuk buron më asnjë gëzim për faktin që i përkasim këtij shermendi që është “Kisha”. Pakënaqësitë dhe reagimet sa shkojnë e përhapen, nëse nuk shihet realizimi i ideve personale sipërfaqësore e të gabuara mbi “Kishën”.
Duke cituar akoma Ungjillin, në homelinë e tij Papa pohon: “Zoti vazhdon të na thotë:”Rrimi në mua e unë në ju. Porsi shermendet nuk mund të sjellin fryte prej vetvetes nëse nuk janë të lidhura me hardhinë, kështu as ju nëse nuk qëndroni në mua,…sepse pa mua – e mund ta përkthejmë këtë pohim edhe kështu: jashtë meje – nuk mund të bëni asgjë” (Gjn 15,4). Çdonjëri prej nesh gjendet para një vendimi të tillë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.