2011-09-21 12:25:06

Figura e Shën Mateut, nga tagrambledhës në apostull. Kumtimi i Ungjillit i ofron mëkatarit faljen e Zotit.


Kujtojmë se Benedikti XVI i kushtoi Mateut katekizmin në audiencën e përgjithshme të 30 gushtit 2006. Apostulli e Ungjilltari Maté na mëson se kush e ndjek pas Krishtin nuk mund të jetojë i kapur për pasuri të pandershme!
Mateu apostull, vjelës i taksave i thirrur nga Jezusi, ngrihet dhe e ndjek pas, është shembull i atij që ndahet prej çdo gjëje për të ndjekur Krishtin. Ky është mësimi që Benedikti XVI u ofroi sot besimtarëve të pranishëm në audiencën e përgjithshme, mbajtur paradite në sallën e Palit VI në Vatikan. “Edhe sot – tha Papa – nuk është e pranueshme kapja apo lidhja për ato sende që janë të papajtueshme me udhën e Jezusit, sikur është rasti i pasurive të pandershme”.
Jezusi nuk përjashton askënd nga miqësia e tij dhe kumtimi i mirë i Ungjillit qëndron pikërisht në dhuratën e hirit të Zotit për mëkatarin. Më këto fjalë mund ta përmbledhim katekizmin e Atit të Shenjtë Benediktit XVI, të cilin sot, ia kushtoi figurës së Mateut apostull. Tagrambledhësi që rrinte ndenjur në bankën e doganës e të cilit Jezusi iu drejtua me fjalët të thjeshta “Eja mbas meje!” dhe ai menjëherë u ngrit dhe shkoi pas tij, është shembull, nënvizoi Papa Racinger, i gatishmërisë së përgjigjes së menjëhershme ndaj thirrjes dhe të braktisjes së çdo gjëje për të ecur në gjurmët e Mësuesit Hyjnor.
Ajo e Mateut, është një histori, vijoi Papa, që ende sot mëson shumëçka:
“Është e qartë se Mateu e kuptoi se familjariteti me Jezusi nuk i mundësonte të vijonte më në aktivitetin që Zoti nuk e pëlqente, nuk e miratonte. Shumë i lehtë është zbatimi i këtij shembulli për kohën aktuale: akoma sot nuk është e pranueshme kapja e lidhja për sende që janë të papajtueshme me ndjekjen e udhës së Jezusit, sikur është rasti i pasurive të pandershme”.
Në të ecurit të Mateut pas Jezusit, shtoi Benedikti XVI, “është legjitime të lexohet distancimi nga gjendja e mëkatit dhe njëkohësisht aderimi i vetëdijshëm në një jetë të re”. Në figurën e këtij apostulli, pohoi Ati i Shenjtë, “Ungjijtë na propozojnë një paradoks të vërtetë”:
“Kush, në vështrim të parë,duket se është më larg nga shenjtërimi, mund të bëhet madje deri një shembull i pranimit të përdëllimit të Zotit e të lejimit të rrezatimit të fryteve të mrekullueshme në ekzistencën e vet”.
Mateu, që në hebraishte domethënë “dhuratë e Zotit”, tagrambledhës, është një person që sipas botëkuptimit që ishte në fuqi në Izraelin e shekujve të parë, konsiderohej mëkatar publik. “ Ai përdorte paratë që konsideroheshin të papastërta për shkak të prejardhjes së tij prej njerëzve që nuk i përkisnin popullit të Zotit”, shpjegoi Papa, e “bashkëpunonte edhe me autoritetet e huaja, lakmues të urryeshëm, haraçi i të cilëve mund të vendosej edhe në mënyrë arbitrare”. E megjithëkëtë, Jezusi e pranon në rrethin e ngushtë të nxënësve të tij, duke dhënë një mësim të madh:
“Derisa ishte në sofër në shtëpinë e Mateut-Levi, e në përgjigje të vërejtjes së atyre që shkandulloheshin për faktin se Ai (Jezusi) frekuentonte shoqëri jo fortë të rekomandueshme, shqipton deklaratën e rëndësishme:“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”
Benedikti XVI kujtoi së fundi se Mateu është autori i Ungjillit të parë, apostulli e shkroi në gjuhën hebraike por ne sot e kemi përkthimin e Ungjillit të tij në gjuhën greke. Është një Ungjill, përfundoi Papa, në të cilin nxënësi nxiton të shpall përdëllimin shpëtimprurës të Zotit:
“Ta dëgjojmë këtë porosi të Shën Mateut, ta meditojmë gjithmonë e sërish, për të mësuar".







All the contents on this site are copyrighted ©.