2011-09-21 15:43:28

BE: imzot Gadecki kërkon “autonomi e bashkëpunim” ndërmjet Shtetit e Kishës


Autonomia e bashkëpunimi i anasjelltë: sipas kryeipeshkvit të Poznanit të Polonisë, imzot Stanislav Gadeckit, kjo duhet të jetë marrëdhënia ndërmjet Kishës e Shtetit. Në homelinë e “meshës de rentrée” (meshës së rifillimit) të aktiviteteve të Bashkimit evropian mbajtur, në kuadrin e semestrit të presidencës polake, dje në Bruksel në katedralen e Shën Mikelit e Gudulës, imzot Gadecki tha: “Polonia ka pasur nderin të kryesonte për gjashtë muaj Bashkimin evropian e ne e kremtojmë këtë ngjarje liturgjikisht, këtu në Bruksel, që është edhe një rast i volitshëm për të reflektuar mbi praninë e Kishës në realitetin e hapësirën publike”.
Gjatë nënvizimit të “domosdoshmërisë së autonomisë së Shtetit e të Kishës, të jetës publike e të jetës fetare”, kryeipeshkvi i Poznanit – njofton agjencia Sir – pohoi se: “Sot asnjë përfaqësues i Kishës katolike nuk kërkon e nuk dëshiron një lidhje të fortë ndërmjet fesë e politikës, sepse një gjë e tillë do të çonte në mënyrë të pashmangshme në politizimin e Kishës. Në të kundërtën, duke shpallur autonominë, shpallet një situatë në të cilën Kisha – e liruar nga lidhjet e rreme e të gabuara me Shtetin – mund t’i përkushtohet qëllimeve të veta. Njëri ndër këto synime gjithsesi - sqaroi kryeipeshkvi – është realizimi i detyrave publike. Prandaj, kur predikohet autonomia institucionale, duhet të kemi parasysh nevojën e bashkëpunimit në shumë fusha dhe aspekte të jetës njerëzore”.
Sipas imzot Gadeckit, “Kisha duhet të impenjohet në sektorë të arsimit shkollor e të shërbimeve shoqërore (kopshte, shkolla, spitale, klinika), pastaj duke trajtuar çështjen e sistemit të punës e vijuar interesimin për paqen dhe zhvillimin më të drejtë e më njerëzore” të shoqërisë. Sot, pranoi imzot Gadecki, “shumë mund të pohojnë që është më e preferueshme” që Kisha të “mbetët në heshtje e të mos ndërhyjë në jetën publike apo në politikë”, por, paralajmëron ai, “Kisha nuk mund të heshtë” kur “është në pyetje e në lojë vlera e pacenueshme e dinjitetit njerëzor” e të krishterët “duhet të jenë “kripë e tokës edhe në marrëdhëniet e tyre me jetën shoqërore”.
Për kryeipeshkvin e Poznanit, mungesa e Kishës “ jo vetëm që do ti kufizonte të drejtat e Kishës, por do të ishte e dëmshme edhe për vet popullin e për Shtetit. Në një shoqëri pluraliste e në një Shtet demokratik e modern, Kisha nuk do të dëshironte të trajtohej si një ‘kundërshtar i huaj’, por si entitet i lirë në një Vend të lirë”.
Të pranishëm në kremtimin e meshës ishte edhe imzot André-Joseph Leonard, primat i Belgjikës; imzot André Dupuy, nunc apostolik pranë BE-së; imzot Andrianus Herman van Luny, ipeshkëv i Roterdamit e president i Komisionit të ipeshkvijve të Bashkimit evropian (Comece), dhe imzot Piotr Mazurkiewicz, sekretar i përgjithshëm i vet organizmit ipeshkvnor evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.