2011-09-20 13:37:20

Për atë Picabalën, njohja e Palestinës në OKB nuk mund të bëhet pa dialog


Zgjidhja e procesit të paqes në Lindjen e Mesme me dy shtete, atë palestinez e atë izraelit, është e drejtë, por nuk do të arrihet derisa të interesuarit të mos ulen në tryezën e bisedimeve, e cila është braktisur prej kohësh. Ky është mendimi i Rojtarit të Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala, para kërkesës së palestinezëve për njohjen e shtetit të tyre nga OKB-ja, që presidenti Abu Mazen do ta paraqesë në Asamblenë e Përgjithshme të 23 shtatorit, në Nju Jork. Sipas gjasave, OKB-ja do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës, megjithëse do ta deklarojë Palestinën si Vëzhguese të Përhershme e jo si shtet anëtar të saj.
Natyrisht, siç vë në dukje atë Picabala për agjensinë katolike Sir, gjendja në Lindjen e Mesme do të varet shumë nga reagimi i izraelitëve, por edhe nga ai i grupeve, lëvizjeve, shoqatave, apo elementëve, që mund të përfitojnë nga situata për të ushtruar dhunë. Gjithsesi, Rojtari i Tokës Shenjte beson se kjo nuk do të ndodhë, pasi popullsia është lodhur nga çdo formë dhune e dëshiron paqen me çdo kusht. Të gjithë e dinë se pa dialog nuk ka të ardhme, por vështirë që vendimi i mundshëm i OKB-së t’i afrojë palestinezët dhe izraelitët, vazhdon atë Picabala, pavarësisht se kjo është e domosdoshme.
Më 11 shtator, krerët e Kishave të krishtera të Jeruzalemit nënshkruan një deklaratë të përbashkët, në të cilën, pa hyrë në hollësirat e kërkesës së palestinezëve për njohjen e shtetit të tyre në OKB, nënvizuan nevojën e ekzistencës së dy shteteve për dy popujt dhe theksuan urgjencën e bisedimeve. Sipas një sondazhi në vend, 83% e palestinezëve e konsideron të drejtë vendimin e presidentit Abu Mazen për paraqitjen e kërkesës së njohjes së Palestinës në OKB, por 78% e tyre është e bindur se Izraeli do të pezullojë derdhjen e taksave doganore, që i takojnë Autoritetit Palestinez, 64% ka frikë se amerikanët do të bllokojnë ndihmat ekonomike e vetëm 35% e palestinezëve mbështet luftën e armatosur. Në rastin e zgjedhjeve të reja, Abu Mazen, gjithnjë sipas sondazheve, do të merrte 59% të votave, ndërsa Hamasi, vetëm 34%.








All the contents on this site are copyrighted ©.