2011-09-19 17:21:01

Benedikti XVI u kërkon ipeshkvijve indianë të mirëpresin të gjithë, duke filluar nga të varfërit e, të mbrojnë të drejtat e çdo njeriu


Papa Benedikti XVI i kërkon Kishës në Indi të vazhdojë të kujdeset për të gjithë, sidomos për të varfërit e, të mbrojë drejtësinë e të drejtat e patjetërsueshme të çdo anëtari të shoqërisë. Kjo kërkesë iu bë sot ipeshkvijve indianë në vizitë “ad Limina” (pra, tek Varret e Apostujve), të cilët Ati i Shenjtë i priti në Pallatin apostolik të Kastel Gandolfos.RealAudioMP3

Papa kujtoi traditën e lashtë të krishterë në Indi dhe kontributin që ka dhënë ajo në shoqëri, duke e pasuruar kulturën dhe jetën e të gjithë qytetarëve, në mënyra të ndryshme:
“Pasuria më konkrete e më e dukshme e Kishave lokale në Indi nuk janë ndërtesat, shkollat, jetimoret, kuvendet ose qelat e meshtarëve, por janë besimtarët, të cilët dëshmojnë praninë mirëdashëse të Zotit përmes jetës në shenjtëri”.
Papa vuri në dukje se Kisha në Indi nuk e shpall fenë e dashurinë e Zotit vetëm për katolikët, por për të gjithë shoqërinë e shqetësohet për të gjithë qytetarët e saj, si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në atë material:
“Në veçanti, Kisha Katolike është mike me të varfërin… Si Krishti, pranon pa dallim të gjithë ata, që i afrohen për të dëgjuar mesazhin hyjnor të paqes, të shpresës e të shëlbimit”.
Prandaj, Benedikti XVI u rekomandoi klerit, rregulltarëve, katekistëve në dioqeza, të tregojnë kujdes për kontekstet e ndryshme gjuhësore, kulturore, ekonomike të atyre, që u kërkojnë ndihmë e mbështetje:
“Ju inkurajoj, të dashur vëllezër, të vazhdoni përpjekjet për të promovuar mirëqënien e shoqërisë indiane, përmes kujdesit të vazhdueshëm për të drejtat themelore të njeriut – të drejta, që pranohen nga krejt njerëzimi. Ftoj besimtarët e krishterë dhe ata të traditave të tjera fetare ta pranojnë sfidën e afirmimit të dinjitetit të çdo njeriu, që shprehet përmes të drejtave të patjetërsueshme morale, shpirtërore dhe materiale”.
Ky dinjitet – përfundoi Papa, duke pasur parasysh situatën aktuale në Indi, ku akoma mbizotëron ndarja në kasta e ku vazhdon mënjanimi e në disa vende, edhe persekutimi i pakicës së krishterë - nuk është ndonjë konçesion i autoriteteve tokësore, por dhuratë e Krijuesit. Dinjiteti i njeriut rrjedh nga fakti se jemi krijuar në shembëlltyrë e në ngjashmëri me Zotin.








All the contents on this site are copyrighted ©.