2011-09-17 14:01:34

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


E diel 18 shtator, Kisha kremton të dielën e 25-të gjatë vitit e gjithnjë më 18 shtator sipas kalendarit kishtar bie edhe kujtimi i shën Jozefit nga Kopertini, meshtar françeskan.
Liturgjia na kujton se të jesh i krishterë, do të thotë të jesh i sigurt se Zoti kujdeset për ne në çdo çast të jetës. E kjo na jep zemër ta shpallim haptazi besimin tonë në Zotin, duke e pasur mirë parasysh se feja nuk është ndjenjë private, por dëshmi publike!

Të hënën më 19 shtator, kalendari kishtar na propozon festën e shën Gjenarit, ipeshkëv i Beneventos e martir.
Psalmi i kësaj dite thotë: pa mbarim do ti këndojë mirësisë së Zotit. Tërë personi i Jezusit, edhe trupi i tij, shpreh forcën që pambarimisht jep shëndet e guxim. Ja udhët për të fituar shpëtimin prej Zotit: të bëhemi nxënës të tij e ti dëgjojmë e zbatojmë mësimet e apostujve, të cilët na propozojnë ato udhëzime që Mësuesi Hyjnor ua ka besuar atyre.

Të martën më 20 shtator, kalendari kishtar na propozon shembullin shenjtorëve Andrei Kim Taegon, meshtar e shokëve të tij, martirë koreanë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.

Të mërkurën më 21 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Mateun, Apostull e Ungjilltar dhe shën Panifolin, martir.
Predikimi e lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush ka besim në të dhe ndjek gjurmët e tija, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente e situata të vështira, madje as edhe në ato të pamundshme të jetës. Besimi në Zoti është mbështetje e mburojë për njeriun që shpreson në Të.

Të enjten e ardhshme më 22 shtator, kalendari përkujton shën Mauricin me shokë, ushtarë e martirë, shën Silvanin, shën Emeritën e shën Bazilën, martire.
Çka do herë që marrim pjesë në Meshën Shenjte, plotësohen fjalët e Jezusit: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit. Buka e gjallë është korpi im për jetën e botës”. Zoti, pra, e pajis njeriun me gjithçka që i duhet gjatë udhës së tij tokësore, gjithçka që i duhet për të kaluar nga kjo botë për tek Ati Qiellor. E udha e domosdoshme që e lidhë njerëzoren me hyjnoren, tokësore me qielloren është Jezu Krishti.

Të premten më 23 shtator, sipas kalendari liturgjik, Kisha katolike përkujton shën Piun nga Pietralçina, meshtar kapuçin që pati dhuratën e plagëve të Krishtit dhe shën Lini, papë.
Zoti e do njeriun që dhuron me gëzim, thotë leximi i ditës marrë nga letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 9,6-10). Atë që më shërben, Ati Qiellor do ta nderojë, pohon Jezusi në pjesën ungjillore të Shën Gjonit (Gjn 12,24-26)

Të shtunën që vjen më 24 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Marinë e Merçedes e shën Pacifikun.
Shpirti i Zotit e sjell lirinë e vërtetë, atë liri që arrihet me mundim në kërkimin e së vërtetës mbi veten tonë e mbi jetën tonë personale, një liri që nuk përjashton përkufizimet, ligjet e detyrimet që burojnë nga përgjigjjia që duhet t’i japim Zotit.

Të dielën e ardhshme më 25 shtator Kisha do të kremtojë të dielën e 26-të gjatë vitit e po më 25 shtator sipas kalendarit kishtar kujtohen shën Firmini, ipeshkëv i Amiensit e martir, shën Kleofa e shën Serxho i Radonezit.
Duke shpallur mbretërinë e Zotit, Jezusi na ka sjell faljen e Hyjit Atë dhe na ka thirrur e vazhdon të na thërras në faljen e anasjelltë mes njëri tjetrit. Ashtu sikur Zoti na falë, edhe ne duhet ti falim të tjerët.







All the contents on this site are copyrighted ©.