2011-09-16 14:24:58

Shqipëri: regjistrimi i popullsisë fillon më 1 tetor


Në Shqipëri procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave 2011 do të nisë më 1 tetori dhe zgjat për 3 javë. Në të gjithë vendin përgatitjet kanë nisur prej kohësh mbështetur në legjislacionin përkatës.
Dje në ceremoninë e përurimit të qendrës së skanimit dhe përpunimit të të dhënave të Censusit, kryeministri Shqipërisë Sali Berisha u kërkoi shqiptarëve të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave si qytetarë të lirë, ndërsa e konsideroi këtë proces, si më të rëndësishmin në historinë e vendit. Regjistrimi i popullsisë 2011 është regjistrimi më i veçantë, sepse është i pari i bërë që nga koha e Mbretërisë shqiptare, tha Berisha.
"Shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të përmbushur të gjitha kërkesat e procesit dhe për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, për përkatësinë etnike apo besimin fetar", u shpreh kreu i Qeverisë së Tiranës.
"Është një orientim shkencor për të gjitha politikat demografike të vendit, të cilat janë shumë të rëndësishme. Sot ne kemi tregues demografik në tërësi shumë të mirë, por është detyrë e çdo qeverie dhe shoqërie të bëjë në momente të caktuara ndërhyrje për t'i garantuar popullit rininë e përjetshme.
Berisha theksoi se regjistrimi i popullsisë dhe banesave ka një tjetër element thelbësor, pasi përbën një pasqyrë të kristaltë të përpjekjeve dhe arritjeve të mëdha të shqiptarëve në këto vite lirie.
Kryeministri u ndal edhe te reagimet kundër përmbajtjes në anketë të dy pyetjeve, që kanë të bëjnë me përkatësinë etnike dhe besimin fetar të qytetarëve. Sipas tij, "në një shoqëri të lirë, individë apo organizata kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre dhe ta shpallin atë, por kur këtë e bëjnë institucione që me ligj dhe Kushtetutë janë të depolitizuara, atëherë kjo lëvizje nuk mund të quhet ndryshe veçse lëvizja bardh e zi". "Ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë së Tiranës shprehu mirënjohje ndaj Komisionit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë për realizimin e Censusit.
E mbi regjistrimin e popullsisë dhe të banesave në Shqipëri, të dëgjojmë opinionin e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, don Gjergj Metën në mikrofonin e Radio Vatikanit......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.