2011-09-15 16:37:14

Sali Berisha: shqiptarët të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë


Kryeministri Shqipërisë Sali Berisha u kërkoi shqiptarëve t'i nënshtrohen procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave si qytetarë të lirë, ndërsa e konsideroi këtë proces, si më të rëndësishmin në historinë e vendit.
Në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Skanimit dhe Përpunimit të të Dhënave të Censusit, pranë INSTAT-it, kryeministri Shqipërisë Sali Berisha tha se, regjistrimi i popullsisë 2011 është regjistrimi më i veçantë, sepse është i pari i bërë që nga koha e Mbretërisë shqiptare.
"Shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të përmbushur të gjitha kërkesat e procesit dhe për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, për përkatësinë etnike apo besimin fetar", u shpreh kreu i Qeverisë së Tiranës.
Duke vlerësuar se procesi i Censusit po kryhet referuar standardeve bashkëkohore dhe me një teknologji bashkëkohore, Kryeministri Berisha tha se, Censusi do të bëjë të mundur që politikat e qeverisë të jenë më të drejta dhe më të ndershme, pasi ky proces do të japë të dhëna të sakta mbi demografinë e rretheve dhe rajonit, të domosdoshme për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave buxhetore.
"Është një orientim shkencor për të gjitha politikat demografike të vendit, të cilat janë shumë të rëndësishme. Sot ne kemi tregues demografik në tërësi shumë të mirë, por është detyrë e çdo qeverie dhe shoqërie të bëjë në momente të caktuara ndërhyrje për t'i garantuar popullit rininë e përjetshme.
Berisha theksoi se regjistrimi i popullsisë dhe banesave ka një tjetër element thelbësor, pasi përbën një pasqyrë të kristaltë të përpjekjeve dhe arritjeve të mëdha të shqiptarëve në këto vite lirie.
"Në 45 vite, shqiptarët trashëguan 750 mijë bunkerëve. Në këto 20 vite ata kanë ndërtuar vila dhe pallate më shumë se në gjithë brezninë e të gjitha kohërave", theksoi Kryeministri Berisha. Ndaj, vijoi ai, shqiptarët kanë arsye të krenohen me të dhënat e këtij regjistrimi.
Kryeministri u ndal edhe te reagimet kundër përmbajtjes në anketë të dy pyetjeve, që kanë të bëjnë me përkatësinë etnike dhe besimin fetar të qytetarëve.
Sipas tij, "në një shoqëri të lirë, individë apo organizata kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre dhe ta shpallin atë, por kur këtë e bëjnë institucione që me ligj dhe Kushtetutë janë të depolitizuara, atëherë kjo lëvizje nuk mund të quhet ndryshe veçse lëvizja bardh e zi".
"Ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë së Tiranës shprehu mirënjohje ndaj Komisionit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë për realizimin e Censusit.
Në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Skanimit dhe Përpunimit të të Dhënave të Censusit ishin të pranishëm ambasadori i Bashkimit Evropian, Etore Sequi, ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare në vendin tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.