2011-09-15 16:16:54

Papa : ipeshkvijtë e ri ti ndihmojnë besimtarët ta jetojnë plotësisht fenë në Krishtin


Ipeshkvi “nuk është njeri i vetëm”, kështu tha Papa Benedikti XVI duke folur mbi misionin e ipeshkvi në Kishë dhe përvojën e kolegjialitetit, në fjalimin e tij drejtuar ipeshkvijve të emëruar vitit të fundit, të cilët sot i priti në Pallatin Apostolik në Kastelgandolfo. Të pranishëm në takimin e ipeshkvijve të ritit latin e lindor, të cilët këtyre ditëve morën pjesë në takimin e tyre në Vatikan, edhe prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvij, kardinali Mark Ojé e prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri.
Para së gjithash, Benedikti XVI i porositi ipeshkvijtë e ri të kultivojnë “vëllazërimin ipeshkvnor”, që duhet jetuar në veprimtarinë e përditshme për të qenë e për të “vepruar përherë në bashkim me Papën” e me “sivëllezërit” tjerë ipeshkvij, dhe të kultivojnë miqësinë ndërmjet tyre e me meshtarët e vet. Një përshëndetje të veçantë Benedikti XVI u drejtoi Kishave në Lindje të Mesme që “janë në vuajtje”.
Takimi i përvitshëm i Ipeshkvijve të emëruar gjatë vitit, tha Papa, më jep rastin për të nënvizuar disa aspekte të misionit ipeshkvnor. “Sot, dua të reflektoj me ju mbi rëndësinë e pranimit nga ana e Ipeshkvi të dhuratave e të karizmave që Shpirti Shenjt nxit për të mirën dhe për ndërtimin e Kishës”.
Prandaj, ju ftoj ta vëni misionin tuaj “në shërbim të meshtarisë së përbashkët të besimtarëve, të rritjes së tyre shpirtërore e të shenjtërimit të tyre”. Besimtarët, me mënyrën e tyre e në saje të Sakramentit të Pagëzimit, marrin pjesë në meshtarinë e Krishtit. E meshtaria e përbashkët e besimtarëve dhe meshtaria ministeriale apo hierarkike, edhe pse dallojnë njëra nga tjera, ato janë në varësi njëra nga tjetra, pasi që njëra dhe tjera, secila në mënyrë të vet e të veçantë, marrin pjesë në të vetmen meshtari të Krishtit.
“Për këtë arsye, Ipeshkvijtë kanë për detyrë të mbikëqyrin e të veprojnë në mënyrë që të pagëzuarit të mund të rriten në hirin e Zotit e sipas karizmave që Shpirti Shenjt nxit në zemra të tyre në bashkësi të krishtera”.
E, si shenjë e “begatisë së karizmave që ekzistojnë në Kishë” dhe të “unitetit kishtar të të gjithë besimtarëve të mbledhur rreth Papës”, Benedikti XVI përmendi shembullin e Ditës botërore të Rinisë që u mbajt në gusht në Madrid të Spanjës:
“Një gjallëri që përforcon ungjillëzimin dhe praninë e Kishës në botë”.
Nga ky konstatim thirrja e Papës drejtuar prelatëve të ri:
“Pranoni pra me mirënjohje karizmat për shenjtërimin e Kishës dhe për gjallërimin e apostullatit!”.
U takon pikërisht ipeshkvijve të vlerësojnë e të gjykojnë pastërtinë e karizmave dhe dobinë e shërbimin e tyre brenda bashkësisë së besimtarëve.
“Për këtë gjithmonë duhet të jenë qartë që asnjë karizmë nuk mund të mos i referohet e të mos i nënshtrohet Barinjve të Kishës ..
“..sepse në përzemërsinë e bashkimit – përfundoi Benedikti XVI – Kisha e jep dëshminë e saj për Jezu Krishtin, në mënyrë që bota të beson”.
Pikërisht në saje të misionit të veçantë që ka, Ipeshkvi duhet të përkujdeset për ushqimin shpirtëror të jetës. Ai “në saje të sakramenti të Urdhrit meshtarak, është mësues, shenjtërues e Bari që vepron në emër e në personin e Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.