U mbyll Takimi i Shën Egjidit në Mynih. Në Mesazhin përfundimtar, thirrja e krerëve
fetarë për dialog e paqe
Me leximin e thirrjes për paqen, përfundoi mbrëmë në Mynih të Gjermanisë, Takimi ndërfetar
“Të destinuar të jetojmë së bashku. Fe e kultura në dialog”, organizuar nga Bashkësia
e Shën Egjidit. Tri ditë me tryeza të rrumbullakta, në të cilat morën pjesë krerë
fetarë, njerëz të politikës e të kulturës nga e gjithë bota. Gjatë ceremonisë së leximit
të thirrjes për paqen, në podium u ngjitën 300 krerë të feve të ndryshme, kardinali
kryeipeshkëv i Mynihut, Rajnhard Marks dhe themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit,
Andrea Rikardi. Në Mynih u eksperimentua
gjuha e dialogut dhe e miqësisë, arma më inteligjente e më paqësore për t’u mbrojtur
nga tundimi i përdorimit të feve për konflikte, tundim, që ushqehet edhe nga kriza
ekonomike. Por predikuesve të terrorit u duhet përgjigjur me dialog, thuhet në rezolutën
përfundimtare, e cila denoncon të këqiat e botës së sotme, si prirjen drejt ndarjes,
prirjen për t’i dhënë të drejtë vetvetes, pa u kujdesur për të mirën e përbashkët,
rritjen e dhunës e krizën e botëkuptimit. Globalizimi, thuhet në mesazh, është pasuri
për njerëzimin, por duhet të vishet me shpirt. Edhe drejtësia duhet globalizuar. Krerët
e fesë kujtojnë, ashtu si në vitet e kaluara, se kush përdor emrin e Zotit për të
urryer e për të vrarë e merr Atë nëpër gojë kot, duke blasfemuar. Nuk ka të ardhme
me luftë, shkruajnë në përfundim, nuk ka alternativë për dialogun, me të cilin do
të ndërtojmë një dhjetëvjeçar e një shekull paqeje. Kjo është detyra, që i vuri vetes
Takimi ndërfetar i Shën Egjidit, i cili në vitin 2012 do të zhvillohet në Sarajevë,
20 vjet pas rrethimit të kryeqytetit boshnjak nga serbët në njërën nga luftrat më
të përgjakshme ballkanike. Lajmin e dhanë së bashku, myftiu i Sarajevës, Mustafa Çeriç
dhe ipeshkvi ndihmës katolik, imzot Pero Sudar. Do të jetë hera e parë, që Takimi
i Shën Egjidit organizohet nga dioqeza katolike së bashku me autoritetet myslimane
të vendit. Për një bilanc të këtij edicioni, 25 vjet pas takimit historik në Asizi,
i frymëzuar nga Papa i lum Gjon Pali II, i drejtuam mikrofonin imzot Vinçenco Paljes,
këshilltar shpirtëror i Bashkësisë së Shën Egjidit: Në fillim të këtij mijëvjeçari
të ri, të këtij shekulli të ri, është veçanërisht e rëndësishme fryma e Asizit, apo
dëshira për t’u takuar, për të folur, për të gjetur arsyet e thella të bashkëjetesës,
për të nxjerrë nga thesari i feve atë brilant, që na bën të shikojmë lart e përtej.
Me të drejtë, kujtojmë 11 shtatorin, që ishte një faqe e tmerrshme e historisë, por
që pati përgjigjen e menjëhershme të Gjon Palit II, i cili i thirri krerët fetarë
në Asizi, në janar të vitit 2002, pikërisht, sepse donte ta vinte vdekjen përballë
një imazhi të ndryshëm. S’ka dyshim se nëse 10 vjet më parë, një grup myslimanësh
shkatërronte Kullat Binjake, sot mijëra myslimanë në vendet e tyre kërkojnë më shumë
liri, më shumë zhvillim e paqe. Nga thellësitë e historisë kuptohet se liria e zhvillimi
janë pasuri thelbësore, që duhet t’i shohim me kujdes të madh, t’i mbrojmë e t’i ndihmojmë
të rriten. Imzot Palja, në Takim u fol edhe për “kristianofobinë” e për rrezikun
që kërcënon jetën e të krishterëve. Mendoni se ekziston vërtet ky rrezik? S’ka
dyshim që po, kjo është e qartë: flasin martirët, të krishterët e vrarë nga grupe
ekstremistësh e për këtë, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm. Gjithashtu, nuk
duhet harruar se shpesh, edhe pakicat fetare pësojnë dhunë e shtypje. Por është i
rrezikshëm edhe shekullarizmi e dhuna e atyre, që nuk besojnë në Zotin. Është urgjente
aleanca e të gjithë besimtarëve kundër atij materializmi konsumist, që po godet thellë
të gjithë besimtarët, në çdo vend të botës. Është një betejë shumë urgjente, pasi
është shekullarizmi, materializmi, hedonizmi dhe individualizmi, që po e vrasin për
vdekje krejt planetin. Fetë duhet të reagojnë, duke thirrur edhe laikë humanistë,
të vëmendshëm ndaj rëndësisë së fesë në jetën bashkohore.