2011-09-14 18:02:44

Toka e Shenjtë: thirrje e krerëve të Kishave të krishtera para Asamblesë së OKB-së


Dy shtete për dy popuj; nevoja e ngociatave; Jeruzalemi, qytet i përbashkët ndërmjet izraelitëve, palestinezëve dhe besimtarëve të tri feve: këto janë disa nga pikat e deklaratës së përfaqësuesve të Kishave të krishtera, që u bë e njohur sot në Jeruzalem. Deklarata nënshkruhet nga 11 krerë të krishterë, pikërisht para Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, në të cilën palestinezët do të bëjnë kërkesën për njohjen e shtetit të tyre. Në të theksohet se “zgjidhja me dy shtete i shërben drejtësisë e paqes dhe se izraelitë e palestinezë duhet të jetojnë secili në shtetin e vet të pavarur, në paqe e në drejtësi, duke respektuar të drejtat e njeriut, sipas së drejtës ndërkombëtare”.
Liderët e krishterë, ndër të cilët Patriku latin Fuad Tval dhe Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala, prekin edhe çështjen e Jeruzalemit, i cili është “Qytet i shenjtë për tri fe”, ku “të gjithë duhet të jetojnë në paqe e në qetësi, një Qytet, që duhet bashkëndarë ndërmjet dy popujve e tri feve. U bëjmë thirrje – thuhet në fund të deklaratës – përgjegjësve për vendimet, njerëzve vullnetmirë, të bëjnë ç’është e mundur të vendoset drejtësia e shumëpritur prej kohësh, të arrihet paqja dhe pajtimi ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, që të realizohet profecia e Davidit, sipas së cilës ‘dashuria dhe e vërteta do të takohen, drejtësia e paqja do të përqafohen’”.







All the contents on this site are copyrighted ©.