2011-09-14 11:10:06

Shenja e Kryqit


Para mase njëzet shekujsh Kryqi ishte mjet i dënimit poshtërues dhe i vdekjes së frikshme. Romakët dënonin me kryqëzim kriminelët më të mëdhenj.
Sot, Kryqi mbizotëron në të gjithë jetën e besimtarëve të krishterë, në të gjithë jetën e Kishës sonë; si mjet flijimi, shpëtimi, gëzimi, shenjtërimi dhe hiri Hyjnor. Siç shkruan Shën Gjon Krisostomi (Gojarti), "ky simbol i mallkuar dhe i neveritshëm i dënimit më të rëndë, tani është bërë i dashur dhe i shtrenjtë". E sheh Kryqin e Krishtit kudo. "Në Tryezën e shenjtë, në Liturgjinë Hyjnore; në shtëpitë, në tregjet, në shkretëtirat dhe në rrugët; në detet, në anijet dhe në ishujt; në krevatet dhe në veshjet; në martesat, në gostitë, në enët e arta dhe të argjendta; në stolitë dhe afresket... Kaq i shtrenjtë u bë për të gjithë kjo dhuratë e mrekullueshme, ky hir i papërshkruar".
Dhe në fakt, ngado që të hedhësh vështrimin, brenda dhe jashtë kishës, do të shikosh shenjën e Kryqit. Si simbol skematik, i dukshëm, por edhe si gjest i shenjtë. Shenja e Kryqit mbizotëron në jetën e Kishës.
Por, përse? Sepse, që atëherë, kur mbi Kryqin u mbërthye dhe vdiq për shpëtimin e botës vet Hyji, Zoti ynë Jezu Krisht, ky mjet i dënimit u bë mjet i shpëtimit. "...Nuk është më masë dënimi, por trofe i shpëtimit tonë u bë"- thotë një himn urate. Objekti e simbol i turpit u bë lavdia e Kishës dhe e besimtarëve. Simboli i mallkimit u bë "shpërblesë e mallkimit të lashtë". Druri i vuajtjes dhe i vdekjes, u bë "shenjë e gëzimit" dhe "thesarmbajtës i jetës". Të gjitha këto, ngaqë mbi drurin e Kryqit të Krishtit, bashkë me trupin e Tij të pacenuar, Zoti mbërtheu edhe mëkatet tona. Siç shkruan shën Pali Apostull, na fali "të gjithë fajet; duke shuar dëftesën paditëse që ishte kundër nesh... duke e mbërthyer atë mbi kryq" (Kol. 2,14).
Kryqi i Krishtit na pajtoi me Atin Qiellor, nga i Cili na kishte ndarë djalli duke mashtruar njerëzit e parë. Kryqi i Krishtit na hapi Mbretërinë e Qiejve, pasi deri në kryqëzimin e Tij, Djalli përpinte në mënyrë të pangopur, madje, edhe të drejtët. Prandaj Kryqi ka kaq fuqi edhe hir; fuqinë dhe hirin e Krishtit, që, kur u kryqëzua, i kaloi në mënyrë mistike dhe të paimagjinueshme te Kryqi i Tij i nderuar, siç na e thotë me urtësi edhe himnologjia: "Kryqi yt, o Zot, edhe pse duket dru në thelb, është i veshur me pushtet hyjnor; edhe pse është i dukshëm në botë, shpirtërisht bën mrekullinë e shpëtimit tonë...".
Kryqi, pra, u bë simboli i vet Krishtit Zot e Shpëtimtar. Simbol nga i cili dridhen demonët.
"Kryqi, ruajtësi i gjithë botës;
Kryqi, bukuria e Kishës;
Kryqi, fuqia e mbretërve;
Kryqi, mbështetja e besimtarëve;
Kryqi, lavdia e engjëjve
dhe plaga e demonëve "
(Eksapostillarion)







All the contents on this site are copyrighted ©.