2011-09-14 18:03:07

Raporti vjetor i Komisionit “Drejtësi e Paqe” në Pakistan vë në dukje dhunë e abuzime kundër pakicave


Informacion i detajuar për dhunën kundë pakicave fetare në Pakistan, gjatë vitit 2010 e muajve të parë të këtij viti, si edhe pasqyra e realitetit të vendit e një seri me propozime për të garantuar të drejtat e liritë e qytetarëve: ky është raporti i Komisionit “Drejtësi e Paqe” të Kishës Katolike pakistaneze, i cili u bë i njohur këto ditë.
Sipas agjensisë kishtare “AziaNjuz”, në të përmbahen tregime, komente, denoncime për diskriminimet shoqërore, për konfiskimet me forcë të pronave, për sulmet kundër kishave e vendeve të kultit, për dhunimin e lirisë fetare, për kthime me forcë në fe tjetër, për episodet e diskriminimit e të racizmit verbal, për ligjet, që nuk respektojnë të drejtat e pakicave, për krimet kundër grave, për abuzimet e forcave të rendit e për korrupsionin politik. Në fund, seksioni, që i kushtohet ligjit të blasfemisë, i cili vazhdon të shkaktojë viktima ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Pakistan.
Sipas të dhënave të raportit, në vitin 2010, janë hedhur në gjyq për blasfemi, të paktën 40 vetë. Ndër ta, 15 janë të krishterë, 10 myslimanë e 6 ahmadi, anëtarë të një sekti mysliman, që nuk e njeh Muhametin si profet të fundit të Islamit. Për zbatimin e “ligjit të zi” – siç quhet ligji i blasfemisë nga populli – janë dënuar me vdekje 37 vetë, ndër të cilët 18 të krishterë e 16 myslimanë. Që nga viti 1986 – vit i hyrjes në fuqi të ligjit – e deri në vitin 2010, janë akuzuar për blasfemi 1081 vetë, prej të cilëve 138 të krishterë, 468 myslimanë e 454 ahmadi. Së fundi, vetëm gjatë vitit të kaluar, ka pasur 32 raste kthimi me forcë nga krishterimi në myslimanizëm, fat, që u takon sidomos grave të krishtera, të cilat rrëmbehen e detyrohen të martohen me myslimanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.