2011-09-14 16:28:11

Psalmi 22/21 Vuajtjet dhe shpresat e të drejtit, ishte sot në qendër të reflektimit të Benediktit XVI


Ja psalmi 22/21 që sot ishte në qendër të katekizmit që Papa Benedikti XVI shpjegoi gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në Vatikan. Ati i Shenjtë Ratcinger vijoi edhe sot reflektimin e tij mbi Psalmet, e pikërisht mbi njërin ndër Psalmet me implikime më të forta kristologjike, që vazhdimisht prek e përkujton tregimin e mundimeve të Jezusit, me një përmasë të dyfishtë atë të përuljes apo të përbuzjes e të lavdisë, të vdekjes dhe të jetës. Është Psalmi 22, (22 sipas traditës hebraike e 21 sipas traditës greko-latine) një lutje prekëse dhe e zjarrtë, e pasur në aspektin njerëzor e teologjik.
PSALMI 22 /21/
Vuajtjet dhe shpresat e të drejtit
1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Shuta në agim”. Psalm.
I Davidit.
2 O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?
Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime!
3 Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh,
qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim.
4 E, pra, ti je Shenjti
që banon në lavditë e Izraelit.
5 Në ty shpresuan etërit tanë,
shpresuan e ti i shpëtove!
6 Ty të thirrrën në ndihmë e gjetën shpëtim,
në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan!
7 Vërtet unë jam krimb e jo njeri,
turpësi e njerëzve, përbuzje e popullit.
8 Gjithkush më shikon, më përqesh,
shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
9 “Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,
le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”
10 E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës,
ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.
11 Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës,
që kur më mbante nëna, ti je Hyji im.
12 Mos qëndro larg meje
sepse rreziku është afër
e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë.
13 Më rrethuan dema të shumtë,
mëzetërit e Basanit më qarkuan,
14 përmnershëm e hapin gojën e vet në mua
si luani që shqyen e ulërin.
15 Si uji u derdha,
m’u zbërthyen eshtrat,
m’u bë zemra porsi dylli,
shkrihet brenda kraharorit tim;
16 porsi tjegull m’u tha qiellza,
gjuha më ngjitet për gurmaz:
e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes.
17 Më rrethuan qen me shumicë,
turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët
18 mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,
e këta më shikojnë e nuk m’i ndajnë sytë.
19 Petkat e mia ndër vete i ndajnë
e mbi petkun tim qesin short.
20 Por ti, o Zot, mos rri larg meje,
fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
21 Ma shpëto jetën prej shpatës,
prej dorës së qenit të vetmen të mirë që kam!
22 Më shpëto prej gojës së luanit,
prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin.
23 E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd,
do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:
24 “Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,
mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!
Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë,
25 sepse nuk e përbuzi as s’e qiti në harresë mjerimin e skamnorit,
nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij,
por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi”.
26 Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut,
ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.
27 Do të hanë skamnorët e do të ngihen,
do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë:
‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’
28 Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti
mbarë skajet e tokës,
do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve.
29 Sepse Zoti është mbret! Ai i sundon kombet!
30 Atë, vetëm atë do ta adhurojnë
të gjithë ata që pushojnë nën dhe,
para tij do të përmbysen të gjithë ata që kthehen në pluhur.
Kurse shpirti im për të do të jetojë,
31 në shërbim të tij do të jetë fara ime,
breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin,
32 për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen:
“Kështu bëri Zoti”!







All the contents on this site are copyrighted ©.