2011-09-14 10:41:26

Më 14 shtator festa e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë.


Sot më 14 shtator Kisha kremton solemnitetin e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë, festë që ka zanafillën në Jerusalem më 14 shtator të vitit 335. Këtë ditë u shuguruan ndërtesat e ngritura nga Perandori Kostandini për të mbrojtur e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e vdekjes e të ngjalljes. Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë. Ndërmjet tyre, po kujtojmë reflektimin e Papës Benediktit XVI në Këln të Gjermanisë drejtuar të rinjve të mbarë botës dhe reflektimin e Papës Gjon Palit II.
Pohon Benedikti XVI: “Zoti në këtë botë nuk bën konkurrencë me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, që vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit”.

E Papa Gjon Pali II në “Letrën drejtuar familjes”, duke u frymëzuar nga Paskali, nënvizon: “Krishti hyri në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit dhe i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit”.

Në ditën e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë ne e shikojmë Kryqin e Krishtit si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumturisë së qiellit, jetës së amshuar, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”.

Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen.
Kryqi bëhet kështu lavdi. Zoti lumturohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit.

Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Është nder për ne të mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit sepse në Të e kemi shëlbimin, jetën dhe ngjalljen tonë, në sajë të Tij kemi qenë shëlbuar e liruar!”, dhe “Kryq i lavdishëm, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Kryqit. Të falem, o Kryq, i shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.

I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur.







All the contents on this site are copyrighted ©.