Tirana përgatitet për Asamblenë Plenare të Ipeshkvijve Katolikë Evropianë.
Në Tiranë tashmë gjithçka është gati për pritjen e punimeve të Asamblesë së ardhshme
Plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane që do të zhvillohet nga
29 shtatori deri më 2 tetorin e ardhshëm. Kryesia e këtij organizmi kishtar me
seli në St Gallen të Zvicrës njofton se në qendër të punimeve të Asamblesë së ardhshme
Plenare të Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, që do të mbahet për
herë të parë në Shqipëri, është: zgjedhja e Presidencës së re të CCEE (Këshillit të
Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane) dhe Ungjillëzimi i ri në Evropë. Asambleja
Plenare e ardhshme e Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE)
do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, me ftesë të arqipeshkvit metropolit të Tiranë-Durrësit
dhe Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita.
Pas vizitës historike të të Lumit Papa Gjon Pali II në prill të vitin1993, takimi
i Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) do të përbëjë, sipas
Kishës lokale shqiptare, ngjarjen kishtare më të rëndësishme të këtyre viteve të fundit
për Shqipërinë, kjo edhe për numrin e kardinalëve dhe të ipeshkvijve që do të marrin
pjesë në këtë takim të rëndësishëm kishtar evropian. E për të theksuar rëndësinë
e veçantë që ky takim përbën për Vendin është edhe dëshira e Presidentit të Republikës
së Shqipërisë Sh.T. Z. Bamir Topi, për të takuar prelatët evropianë të premten, më
30 shtator dhe njoftimi i pranisë së Kryeministrit të Shqipërisë, Sh.T Z. Sali Berisha,
në hapjen e punimeve më 29 shtator.
Në vitin i cili shënon 40 vjetorin e Këshillit
të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (1971-2011) (CCEE ), përvjetor që do
të kremtohet në një mbledhje në Romë më 22 nëntor të këtij viti, Presidentët e Konferencave
Ipeshkvnore të Evropës anëtarë të këtij organizmi (CCEE) do të zgjedhin Presidencën
e re të CCEE për pesëvjeçarin 2011-2016 (nga plenarja në plenare). Në detyrën e Presidentit
dhe të dy Zv-Presidentëve kanë të drejtë zgjedhjeje të gjithë Presidentët e Konferencave
Ipeshkvnore aktualisht në detyrë.
Për të përcaktuar kontributin e Konferencave
Ipeshkvnore në Evropë në Sinodin e ardhshëm të Ipeshkvijve mbi temën e Ungjillëzimit
të ri, thirrur nga Papa Benedikti i XVI e në agjendë për tetorin e 2012 në Vatikan,
Këshilli i Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) u ka dërguar një pyetësor
Konferencave ipeshkvnore me qëllimin për të mbledhur e për të nxjerrë në dritë ide,
situata e propozime mbi temën e Ungjillëzimit të ri.
Në Tiranë, reflektimi
mbi këtë temë do t’i besohet Jean Luc Moens, tashmë koordinator i përvojës së misioneve
qytetare të kryeqyteteve evropiane, që do të ketë për detyrë të sintetizojë përgjigjet
e arritura në këto javë në Këshillin e Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane
(CCEE), e nga imzot Salvatore Fisichella, President i Dikasterit të Vatikanit për
Ungjillëzimin e Ri.
Gjatë punimeve, ipeshkvijve do t’u bëhen të ditura edhe
rezultatet e takimit të Sekretarëve të Përgjithshëm që është zhvilluar në qershorin
e kaluar në Vilnius (Lituani) pikërisht mbi këtë temë. Takimi i Tiranës do të përbëjë
rastin për një punë të përbashkët mbi këtë temë për të gjitha Konferencat Ipeshkvnore
të Evropës para Sinodit të Ipeshkvijve.
Pjesa e dytë e punimeve do të përqendrohet
mbi shërbimin e Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) për
Kishën në Evropë me prezantimin e aktiviteteve të Komisioneve të ndryshme të CCEE:
ai i Komisionit Ipeshkvnor Evropian për Mediat (CEEM); i Komisionit Caritas in veritate
(emigrimi, mbrojtja e krijuesit, drejtësi e paqe); i Komisionit “Katekeza, shkolla
dhe universiteti” dhe i Shërbimit Evropian për Thirrjet e Shenjta(EVS). Gjithashtu
do të paraqiten rezultatet e takimit të 11-të të Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore
të Evropës Juglindore dhe të takimit të 13-të të Ipeshkvijve të Kishave katolike
të ritit Oriental.
Gjatë takimit do të propozohet e do të diskutohet kalendari
i aktiviteteve të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE)
për vitin 2012, mes të cilave do të nënvizohen: Simpoziumi i ardhshëm i ipeshkvijve
të Afrikës e të Evropës (Romë, 13-17 shkurt 2012) dhe Kongresi mbi katekezën (Romë,
7-10 maj 2012).
Përsa i përket aktiviteteve të Këshillit të Konferencave Katolike
Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) në kontekstin e dialogut ekumenik, si dhe dialogun me
Konferencën e Kishave Evropiane (KEK), do të prezantohet vëllimi që përmban procedurat
e Forumit II Evropian Katoliko-Ortodoks (mbajtur në Rodi, Greqi, 18-22 tetor 2010)
mbi temën Marrëdhënia Kishë e Shtet: perspektivat historike dhe teologjike, e do të
vendoset delegacioni katolik që do të marrë pjesë në Forumin III Evropian Katoliko-Ortodoks
programuar për në Lisbonë të Portugalisë, më 4-8 qershor 2012. Gjatë takimit do
të emërohen edhe anëtarët e Komitetit organizativ të Ditëve të 2-ta Sociale Evropiane
të realizuara së bashku me ComECE e parashikuar në 2013.
Në kontekstin e shërbimit
të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) për Kishën në Evropë
do të prezantohet Portali i Informacionit Institucional i Konferencave Ipeshkvnore
në Evropë - Eurocathinfo.eu, (online brenda fundit të vitit), e Intranet i Këshillit
të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (CCEE-së).
Një pjesë e punimeve
pastaj do t’i kushtohet dialogut me Institucionet Evropiane (Bashkimi Evropian dhe
Këshilli i Evropës) nëpërmjet kontributit të imzot. André Dupuy, Nunci Apostolik në
Bashkimin Evropian; imzot Aldo Giordano, Vëzhgues i përhershëm në Këshillin e Evropës
dhe imzot Piotr Mazurkiewicz, Sekretar i përgjithshëm i Konferencës së Ipeshkvijve
të Komunitetit Evropian (ComECE). Do të jetë rasti edhe për të paraqitur aktivitetet
e Observatorit mbi rastet e diskriminimit dhe të intolerancës ndaj të krishterëve
në Evropë.
Gjatë takimit, presidentët do të marrin gjithashtu disa njoftime
të shkurtra mbi udhëtimet e fundit të Papës Benediktit XVI, në veçanti: kardinali
Josip Bozanić, arqipeshkëv i Zagrebit dhe zv. President i CCEE, do të referojë mbi
vizitën e Benediktit të XVI në Kroaci (4-5 qershor); kardinali Antonio Maria Rouco
Varela mbi Ditën Botërore të Rinisë (Madrid, 16-21 gusht) dhe ipeshkvi i Aachen, imzot
Heinrich Mussinghoff, mbi vizitën e Papës në Gjermani në program nga 22-25 shtatori.
Do të jetë një rast për të verifikuar ndikimin në nivelin lokal e për të reflektuar
mbi magjisterin e Papës gjatë këtyre takimeve.
Më pas, së bashku me Fortlumturinë
e Tij Fouad Twal, Patriarkun e Jerusalemit të Latinëve, do të reflektohet se si të
ndihmohen të krishterë në Tokën e Shenjtë. Gjithnjë në Tiranë, pjesëmarrësit do të
informohen edhe mbi dy takimet e ardhshme botërore që nënvizojnë aspekte kyçe të misionit
të Kishës katolike e që do të zhvillohen në Evropë: kardinali Angelo Bagnasco, Arqipeshkëv
i Gjenovës e President i Konferencës ipeshkvnore italiane do të prezantojë takimin
Botëror të Familjeve, në program në Milano të Italisë nga 30 maj-2 qershor 2012, dhe
kardinal Seán B. Brady, arqipeshkëv i Armagh e President i Konferencës ipeshkvnore
irlandeze mbi Kongresin 50-të Eukaristik Ndërkombëtar në Dublin nga 10-17 qershor
2012.
Ditët do të shënohen nga momentet e lutjes e kremtimet eukaristike. Në
veçanti prelatët katolikë evropianë do të kremtojnë Eukaristinë (Meshën Shenjte) çdo
ditë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë së bashku me bashkësinë e krishterë lokale:
të enjten, më 29 shtator në orën 18.30; të premten, më 30 e të shtunën, më 1 tetor
në orën 7.30 e të dielën, më 2 tetor në orën 11.00.
Në takimin e Presidentëve
të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës do të marrin pjesë edhe, për Selinë e Shenjtë,
kardinal Marc Ouellet, Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë; Imzot.
Ramiro Moliner Inglés, Nunci Apostolik në Shqipëri dhe delegatët e organizatave kontinentale
si SECAM (Simpoziumi i Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit) dhe CELAM
(Këshilli Ipeshkvnor Latinoamerikan).
Aty ku nuk është specifikuar një program,
takimi do të jetë me dyer të mbyllura. Në përfundim të punimeve do të shpërndahet
një komunikatë shtypi.
Në Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE)
bëjnë pjesë në cilësinë e anëtarëve aktualë 33 Konferenca ipeshkvnore të pranishme
në Evropë, të përfaqësuara nga presidentët e tyre, arqipeshkvijtë e Luksemburgut,
të Principatës së Monakos, të Maronitëve të Qipros dhe ipeshkvi i Chişinău (Moldavia).
Kujtojmë se aktualisht President Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane
është kardinali Péter Erdő, arqipeshkëv i Esztergom-Budapest, Primati i Hungarisë;
Zv. Presidentët janë kardinal Josip Bozanić, arqipeshkëv i Zagrebit dhe kardinali
Jean-Pierre Ricard, arqipeshkëv i Bordeaux. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit
të Konferencave Ipeshkvnore Evropës (CCEE) është Atë Duarte da Cunha. Selia e sekretarisë
është në St. Gallen (Zvicër)