2011-09-13 16:22:06

Krye Rabini i Izraelit Yona Metzger viziton Shqipërinë


Kryeministri Shqipërisë Sali Berisha vlerësoi sot vizitën e delegacionit të Rabinatit të Madh të Izraelit, kryesuar nga kryerabini rav Yona Metzger, si një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve e popujve, por edhe në aspektin e lidhjeve shpirtërore të komunitetit hebre, që banon në Shqipëri.
Gjatë takimit të zhvilluar në kryeministri, kreu i qeverisë së Tiranës garantoi se, "komuniteti hebraik dhe institucionet shpirtërore të tij në Shqipëri do të gëzojnë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, si të gjitha komunitet tjera shpirtërore e fetare në vend".
"Shqiptarët si një komb multireligjiozë janë krenarë për traditën e tyre të shkëlqyer të tolerancës fetare, të ruajtur prej shekujsh", tha Berisha.
Kryerabini ashkenazitë i Izraelit rav Yona Metzger e falënderoi kryeministrin e Shqipërisë Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë shqiptare, për rivitalizimin e komunitetit hebraik dhe rindërtimin e institucioneve shpirtërore të tij në Shqipëri.
Kryerabini rav Metzger e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i shprehu mirënjohjen më të thellë të hebrenjve anembanë botës për mbrojtjen, që shqiptarët u bënë hebrenjve të Shqipërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mos i dorëzuar në duart e nazistëve.
Kryerabini ashkenazitë i Izraelit rav Yona Metzger shprehu gjithashtu kënaqësinë e veçantë që takohej me Kryeministrin Berisha, figura e të cilit gëzon një reputacion shumë të lartë në Izrael, për kontributin e tij për Shqipërinë dhe konsolidimin e demokracisë në vend.
Në takim u vlerësua miqësia tradicionale midis dy kombeve, si një thesar i rëndësishëm në themelet e marrëdhënieve shumë të mira, që ekzistojnë sot midis dy popujve, qeverive dhe vendeve.
Edhe Presidenti i Shqipërisë priti në takim Kryerabin ashkenazitë të Izraelit rav Yona Metzger
"Vlera të tilla, si paqja e dialogu, janë shumë të rëndësishme për një komb dhe për zhvillimin e gjithanshëm të tij", tha Presidenti Bamir Topi, gjatë një takimi të zhvilluar sot me Kryerabinin e Izraelit, Yona Metzger dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Në takimin, ku ishte i pranishëm edhe Rabini, Joel Kaplan, që drejton sinagogën hebraike në Tiranë, Presidenti Topi theksoi se , "bashkësia hebraike, e njohur zyrtarisht si bashkësi fetare në Shqipëri, do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga shteti shqiptar dhe institucionet e tij në ushtrimin e hebraizmit në vend".
Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë e këtyre takimeve, "pasi janë tregues të qartë jo vetëm të marrëdhënieve shumë të mira miqësore e tradicionale, që ekzistojnë midis dy vendeve tona, por shërbejnë për forcimin tyre, si dhe për konsolidimin e dialogut konstruktiv mes popujve dhe qytetërimeve të ndryshme".
Presidenti Topi vuri në dukje shembullin e rrallë të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare dhe etnike të popullit shqiptar.
Kryerabini i Izraelit, Yona Metzger vlerësoi harmoninë dhe tolerancën, që kanë karakterizuar në shekuj bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si dhe shprehu mirënjohjen për gjestin fisnik e shumë njerëzor të popullit shqiptar, "të besës", në mbrojtje dhe shpëtim të hebrenjve gjatë Holokaustit.
Duke bërë një prezantim të shkurtër të riteve fetare hebraike, por dhe të punës së sinagogës tashmë të çelur para pak muajsh në kryeqytetin shqiptar, Kryerabini Metzger shprehu dëshirën dhe besimin, se edhe komuniteti fetar hebraik, do të vijojë të ketë përkrahjen e mbështetjen e nevojshme nga populli e shteti shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.