2011-09-12 14:28:36

Takim urate në hapjen e Asamblesë së 66-të të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork


Misioni i Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë dhe kryedioqeza e Nju Jorkut kanë organizuar sot një takim urate me rastin e hapjes së punimeve të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pranë Kishës së Familjes Shenjte, famullisë kishtare të OKB-së, në ora 17.30 lokale.
Në këtë takim lutjeje do të marrin pjesë kryeipeshkvi Francis Chullikatt, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, prifti don Bobert Robbis, famullitar i Kishës së Familjes Shenjte e drejtor i Komisionit kryedioqezan të Nju Jorkut për çështjet ekumenike e ndërfetare dhe Shkëlqesia e Tij zoti Ban Ki-monn, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.
Pas leximit të mesazhit të Kryeipeshkvit të Nju Jorkut imzot Timothy Dolan, nga ana e ipeshkvit ndihmës Dennis Sullivan, do të bekohet një portret i të Lumit Gjon Palit II, e me këtë rast do të propozohen fjalimet e Papës Wojtila që u shqiptuan pranë Asamblesë së Përgjithshme më 2 tetor të vitit 1979 dhe më 5 tetor të vitit 1995.
Në lutjet e besimtarëve, gjatë këtij momenti shpirtëror, do të ketë një lutje të posaçme për Atin e Shenjtë Benedikti XVI, liderët e Kombeve, Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së; pjesëmarrësit e këtij takimi shpirtëror do ti lutën Zotit në mënyrë të veçantë për dhuratën e paqes për familjes e madhe njerëzore, për paqen në çdo vend pune e në çdo bashkësi njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.