2011-09-12 16:02:12

Shqipëri: Frattini për në Evropë duhet pakt politik


Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, u shpreh sot në Tiranë, në konferencën për shtyp, pas takimeve me drejtuesit më të lartë politikë të Vendit se, Shqipëria ka nevojë për një pakt politik për të arritur Evropën, ashtu siç e arriti për integrimin në NATO.
Sipas tij, ky pakt s'mund të diktohet prej ndërkombëtarëve, ai duhet të diktohet nga shqiptarët. "Nëse kjo ndodh atëherë Shqipëria ka shumë shanse që sa më shpejt të jetë një anëtare e BE", tha Frattini.
"Qëllimi ynë është të mbështesim vendin që duam. Kemi punuar gjatë gjithë kohës dhe kemi ardhur këtu për t'u takuar me krerët e vendit, për t'iu mbështetur juve", tha Frattini.
"Kam qenë këtu për herë të fundit kur kam qenë zv/president i Komisionit Evropian për të propozuar procesin e liberalizimit të vizave. Një gjë ,që u tregua qartë, është që Shqipëria bëri përpjekjet e duhura për një arritje të madhe siç ishte liberalizimi i vizave", tha Frattini.
"Duam që Shqipëria të jetë pjesë e BE, jo vetëm për Brukselin, por sepse duam me të vërtetë që të jetë pjesë e saj. Fatkeqësisht kemi humbur një vit dhe tani duhet të përfitojmë nga koha e humbur", u shpreh ai.
Sipas Frattinit, integrimi në BE, duhet të bëhet objektivi kryesor i Shqipërisë. "Për këtë do të duhet funksionim i duhur i parlamentit dhe ekuilibri i duhur mes forcave politike", theksoi ai.
"Nëse angazhimi politik, nuk do të reflektohet në veprime të duhura nuk do të ketë asgjë pozitive në raportin e ardhshëm të KE dhe kjo është ajo që duam ta shmangim", tha Frattini.
Sipas tij, "mbeten rekomandimet nga OSBE-ODIHR për reformat. A mund të zbatohen? Them se po. A është e mundur të rifillojnë takimet e komisionit parlamentar për çështjet e integrimit? Mendoj se po. A është e mundur që të dyja palët si qeveria dhe opozita të bien dakord për emërimet e nivelit të lartë si psh Avokati i popullit? Mendoj se po", përfundoi Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini.







All the contents on this site are copyrighted ©.