2011-09-12 14:28:51

Në Mynih të Gjermanisë, takimi ndërfetar i Bashkësisë së Shën Egjidit: nuk do të rreshtim kurrë së luftuari për paqen


U hap dje në Mynih të Gjermanisë, takimi vjetor ndërfetar i organizuar nga Bashkësia katolike e Shën Egjidit me temë: “Të destinuar të jetojmë së bashku. Fe e kultura në dialog”. 25 vjet pas Lutjes për paqen në Asizi, themeluar nga Papa Gjon Pali II, krerë të feve botërore, njerëz të pulitikës e të kulturës nga i gjithë globi, janë mbledhur në qytetin bavarez për të diskutar mbi temat më të rëndësishme të momentit, duke filluar nga 10-vjetori i atentateve të 11 shtatorit.
Janë tri ditë punimesh, që u hapën dje me Meshën Solemne të kremtuar nga kryeipeshkvi i Mynihut, kardinali Rajnhard Marks, në praninë e përfaqësuesve të Kishave të tjera të krishtera. “Kujtimi i dhjetë vjetëve më parë – tha kardinali gjatë homelisë – na shtyn të mos rreshtim së luftuari për paqen”. Në orën 14.46 sipas Gjermanisë e 8.46 sipas Nju Jorkut, pra në çastin e sulmit terrorist kundër Kullave Binjake, krerët fetarë botërorë u mblodhën në Marshtalplac, në lidhje video me Ground Zero, për të marrë pjesë virtualisht në ceremoninë e përkujtimit të atentateve të 11 shtatorit 2001.
Fjalët e kardinalit Marks, gjatë meshës, frymëzoheshin nga mesazhi i Papës Benedikti XVI drejtuar takimit, i cili për Atin e Shenjtë është rast për ta kuptuar thellë shpirtin e paqes e të pajtimit. Papa kërkon të shumëfishohen iniciativat për paqen në botë, pasi ajo ka gjithnjë nevojë për kujdes e për ushqim, si një bimë në rritje, por kujton edhe se paqja është dhuratë e Hyjit, prandaj i fton të gjithë t’i luten Zotit të Gjithpushtetshëm t’ia ofrojë atë botës.
Punimet e ditës së sotme u përqendruan mbi tema si “pranvera arabe”, për të cilën folën përfaqësues të Egjiptit, Sirisë, Libisë, Tunizisë e Libanit, por edhe mbi tema të tjera si bashkimi i të krishterëve e sidomos, roli i feve për bashkëjetesën ndërmjet popujve. Gjatë dhjetë vjetëve pas atentateve të 11 shtatorit, shpesh dukej e pamundur që njerëzit të uleshin në tryezën e bisedimeve, për të filluar dialogun për paqen. Pavarësisht nga kjo, Bashkësia e Shën Egjidit vazhdoi ta propozojë pa pushim “frymën e Asizit”, siç thotë në mikrofonin tonë presidenti i saj, Marko Impaljaco:
Në këtë dhjetëvjeçar, jemi përpjekur të vazhdojmë ta endim pëlhurën e bashkëjetesës, të bashkëndarjes e të respektit të ndërsjelltë, por edhe të simpatisë ndërmjet popujve, që pësoi goditje nga kërcënimet e terrorizmit e nga reagimet ushtarake kundër terrorizmit. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve kemi punuar shumë për të risjellë në botë atë simpati, atë vështrim njerëzor, do të thosha ungjillor, mbi shumë situata, mbi shumë popuj. Ky vështrim mungonte, ishim përqendruar tepër mbi vetveten, mbi frikën, duke lënë mënjanë pjesën më të varfër të botës, e cila ka vuajtur edhe më shumë për shkak të moskujdesit tonë.
Çfarë qëndron në bazën e punës së bashkësisë së Shën Egjidit?
Fanari ynë është zemra e njeriut, që ka gjithnjë nevojë për t’u kthyer te Zoti, por ka nevojë sidomos për dashuri. Pastaj, bazohemi në fjalët inkurajuese të të Lumit Gjon Pali II, profeti i fundit, që u përpoq t’i kundërvihej çdo ndeshjeje ndërmjet qytetërimeve e çdo lufte të re, të cilën e quante gjithnjë “aventurë pa kthim mbrapa”. Kemi edhe mbështetjen e shumë personave, besimtarë e jo, të pranishëm këtu në Mynih për të parë drejt dhjetëvjeçarit të ardhshëm me sy të tjerë, me sy, që na thonë se jemi të destinuar të jetojmë së bashku, siç thotë titulli i takimit.
Pas pjesëmarrjes virtuale në ceremoninë përkujtimore të 11 shtatorit në Nju Jork, një çast tjetër i rëndësishëm i këtyre tri ditëve është vizita në kampin e përqendrimit nazist të Dakaut, me në krye kardinalin Eçegaraj…
Dakau është shumë afër Mynihut. Ky kamp na kujton jo vetëm vuajtjen e hebrenjve, por edhe martirizimin e sa e sa të krishterëve, të të gjitha besimeve. Përkrah kardinalit Eçegaraj do të jenë ipeshkvijtë e bashkësive të tjera, ortodokse e evangjelike, pasi Dakau përfaqëson simbolikisht edhe bashkimin e të krishterëve në martirizim. Dëshirojmë të çojmë aty sidomos të rinjtë – si gjermanë, ashtu edhe nga çdo anë e Evropës – të cilët do të bashkohen me ne në takim. Ata do të jenë protagonistët e këtij shtegtimi, për të thënë se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më e se Evropa, që kemi ndërtuar në paqe e në bashkim, duhet të forcohet gjithnjë.







All the contents on this site are copyrighted ©.