2011-09-12 16:28:27

Në Derven bekohet Kisha e re e shën Gjon Pagëzuesit. Atë Santucci dekorohet me Medalje Papnore


Në Fushë Derven, kryeipeshkvi i kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita, bekoi sot Kishën e re kushtuar Shën Gjon Pagëzuesit. Ky Tempull i ri i Zotit - tha imzot Mirdita - është ndërtuar falë veprimtarisë e kujdesit të misionarit jezuit Atë Ernesto Santucci, e sot ua lë si dhuratë besimtarëve të kësaj bashkësie kishtare. Kujtojmë se kjo Kishë e Dervenit që bartë emrin e Shën Gjon Pagëzuesit, është Kisha e 9-të që jezuiti Atë Ernesto Santucci ka ndërtuar gjatë 20 vjetëve të veprimtarisë së tij misionare në Shqipëri.
E sot, bekimi i Kishës së re, dhuratë e Atë Santuccit, përkon edhe me 50 vjetorin e meshtarisë së tij. Një jubile ky, nënvizoi imzot Rrok Mirdita, që flet për fenë dhe bujarinë e jashtëzakonshme të apostullit të shqiptarëve, Atë Ernesto Santuccit, i cili këtyre 20 viteve është mishëruar aq mirë e aq thellë me jetën e shqiptarëve, sa ta ndjen e quan - me të drejtë e me vend - veten shqiptar.
Në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për punën e jashtëzakonshme bërë në fushën e ungjillëzimit të besimtarëve dhe atë të ndërtimit të Kishave e të strukturave tjera bamirëse në shërbim të popullit shqiptar, pa dallim e pa përjashtim, imzot Rrok Mirdita i dorëzoi atë Santuccit Medaljen Papnore Pro Ecclesia et Pontifice (për Kishën e Papën), dekoratë kjo e lashtë Papnor e themeluar nga Ati i Shenjtë Leoni XIII më 17 korrik 1888.
Ja homelia e plote e imzot Rrok Mirdites shqiptuar gjate Meshes se shugurimit te Kishes se re te Shen Gjon Pagezorit në Fushë Derven më 12 shtator 2011
Bekimi i Kishës së Shën Gjon Pagëzorit

Shumë të dashur vëllezër dhe motra,
sot Zoti na jep hirin të mblidhemi në këtë ndërtesë të re, që është dhuratë e dashurisë së Tij, shenjë e mrekullueshme e përkujdesjes së tij për rritjen tonë shpirtërore. Kisha është gjithmonë dhe kudo dhuratë e Hyjit për njerëzimin, një dhuratë që na është dhënë në Birin e vet Jezu Krishtin, i cili, duke u bërë njeri, duke vdekur në kryq dhe duke u ringjallur, ka hapur për botën dhe për njerëzimin hapësirën e shpëtimit brenda kishës së tij. Kisha e Krishtit është vendi ku ne mund të kërkojmë dhe të gjejmë të vërtetën dhe shpëtimin, sepse, Krishti, para se të kthehej në qiell në lavdinë e Atit të vet, ka dashur të lërë në duart e kishës pasurinë e paçmueshme të hirit të shpëtimit. Vendi më i shenjtë i popullit të Zotit në Besëlidhjen e Vjetër ka qenë tempulli i Jerusalemit. Aty banonte lavdia e Hyjit dhe në të shfaqej bekimi i pranisë së Hyjit në mes të popullit të vet. Shkatërrimi i tempullit dhe dëbimi i hebrenjve në Babiloni ka qenë një ndër ngjarjet më të dhimbshme të historisë së Izraelit.
Edhe me ju mund të bëjmë një krahasim midis Besëlidhjes së Vjetër dhe historisë sonë të vonë. A nuk ka qenë edhe për popullin tonë dëbimi i besimit nga shpirtrat e njerëzve dhe shkatërrimi i tempujve të Hyjit, njëra ndër pikat më të dhimbshme të historisë shpirtërore të shqiptarëve? A nuk ka qenë populli ynë i dëbuar nga kishat si një popull i dëbuar nga toka e vet. Kisha është toka shpirtërore, shumë më e rëndësishme se çdo tokë tjetër materiale. A nuk kemi qenë ne rrënjësisht të varfër pa kishën? Në dritën e leximit të parë të kësaj liturgjie vëmë re sa shumë i ngjan shugurimi i kësaj kishe asaj që ndodh në librin e Nehemisë. Izraelitët e kthyer nga Babilonia po rindërtonin Jerusalemin dhe gjatë këtyre punimeve kishin gjetur librin e ligjit të Moisiut. I gjithë populli mblidhet dhe dëgjon me mallëngjim fjalët e ligjit të lexuara nga skribi Ezdra. Këto janë fjalët që kemi dëgjuar në leximin e parë: “Dhe librin e ligjit të Hyjit e lexonin pjesë pjesë dhe ja shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej. Atëherë qeveritari Nehemia, prifti dhe skribi Ezdra, si edhe levitët që mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë. Mos jini të trishtuar as mos qani, sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e ligjit”(Neh 8, 8 – 9).
Shumë të dashur vëllezër dhe motra, pas rrëzimit të Babilonisë, pra pas rënies së regjimit komunist që kishte dëbuar Hyjin nga jeta publike dhe është përpjekur ta dëbojë edhe nga shpirtrat e gjithë shqiptarëve , shumë prej jush keni filluar të rindërtoni jetën tuaj. Megjithatë , një jetë që nuk ka në themel fjalën e Zotit është e brishtë dhe lehtësisht e shkatërrueshme.
Për këtë arsye, Hyji ka dërguar tek ju shërbëtorët e tij, bijtë e dashur, Don Carmine dhe Atë Santucci për t’ju dëshmuar dashurinë hyjnore dhe për t’ju drejtuar në udhën e besimit që është udha e vetme që na çliron nga çdo skllavëri tokësore.
Sikurse Nehemia, prifti dhe skribi Ezdra si edhe levitët mësonin popullin, ashtu Don Carmine dhe Atë Santucci, që besojnë në Krishtin, që jetojnë dhe veprojnë në emrin e tij, kanë qëndruar mes jush gjatë gjithë këtyre viteve, për t’ju kumtuar fjalën e Hyjit, për t’ju dëshmuar bukurinë e jetës me Krishtin, për t’ju kujtuar, se besimi në Krishtin është themeli i patundshëm i jetës së njeriut.
Me anë të fjalës dhe dëshmisë së jetës, ndërsa janë kujdesur për të ndërtuar tempullin e gurit, këtë Kishë të bukur ku po kremtojmë misteret e fesë, janë kujdesur gjithashtu dhe kryesisht për të ndërtuar brenda jush Kishën e gjallë për të cilën flet Shën Pjetri në leximin e dytë të kësaj liturgjie: “ Që edhe ju, si gur të gjallë të ndërtoheni shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë , për ti kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin” (1Pj 2,5).
Besimi në Krishtin, rritja shpirtërore jeta nën dritën e Fjalës së Hyjit, përforcimi me anën e sakramenteve që na ofron Kisha, ushtrimi i vazhdueshëm i lutjes dhe i veprave të dashurisë, të gjitha këto gjëra për të cilat kisha është shërbëtore dhe mësuese, ushtrojnë një shndërrim thelbësor në jetën tonë dhe na bëjnë të kuptojmë këto fjalë të apostullit Pjetër: “Ju që dikur nuk ishit popull, tani jeni populli i Hyjit; ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, tani e keni fituar mëshirën” (1pj 2,10).
Shumë të dashur besimtarë nëse e njohim Krishtin, si Birin e Hyjit, atëherë duhet të jetojmë me Krishtin, e për Krishtin. Nuk duhet të lejojmë që të na gënjejnë e të na prijnë në udhë të rreme tundimet për një jetë të lehtë që ofron shpesh herë bota e sotme. Vetëm me Krishtin zgjedha është e ëmbël dhe barra është e lehtë, sado të vështira të jenë sfidat e kohës.
Besimi i qartë i Pjetrit na vendos me siguri në udhën e Mësuesit hyjnor. Jezusi i thotë atij: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: ti je Pjetër - Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb do ta ndërtojë Kishën time e dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë kundër saj!”
Në këtë Kishë të udhëhequr nga pasardhësi i Pjetrit, nga Ati i Shenjtë Papa Benedikti i XVI, mund të mësojmë udhën e Krishtit dhe mund të jetojmë me sigurinë se dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë kurrë në jetën tonë. Kjo kishë e re është pjesë e kësaj Kishe të madhe të Krishtit të udhëhequr nga pasardhësi i Pjetrit.
Në këtë Kishë jemi të sigurt, prandaj mund të themi bashkë me Neheminë: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, mos jini të trishtuar!” (Neh 8 – 9). Duajeni këtë kishë, të dashur vëllezër dhe motra. Ejani këtu dhe shijoni bukurinë e dhuratave qiellore. Ajo që do të gjeni në punë , në shtëpi, në shkollë, në rrugë, nëpër gazeta, radio, televizion etj., nuk mjafton për të ushqyer shpirtin tonë dhe Hyji ka zgjedhur kishën për të kryer shërbimin në botë.
Duke kujtuar Gjon Pagëzorin, pajtorin e kësaj Kishe dëshiroj të kujtoj historinë e gati 50 viteve të fundit të persekutimit të klerit në vendin tonë. Kjo na kujton seancat gjyqësore të improvizuara dhe dënimet për vdekje nga Herodët e kohës sonë, që për të shfryer urrejtjen e tyre paranoike kërkonin të ngopeshin me gjakun e ajkës së Kishës dhe të kombit. Salvime, barbarizma, mundime, dhunë e kërdina të panumërta, gjithçka ka mundur të krijojë mizoria njerëzore për një gjysmë shekulli, vetëm për t’i shmangur njerëzit nga besimi. Të gjitha këto i përballuan me guximin dhe trimërinë e Shën Gjon Pagëzorit duke shpresuar në shpërblimin që kanë për të marrë në mbretërinë qiellore.
Kjo na detyron të jemi mirënjohës dhe të falënderojmë të gjithë ata njerëz zemërgjerë që, të shtyrë nga dashuria për Hyjin dhe nga kujdesi për rritjen tonë shpirtërore, kanë ndihmuar për ngritjen e kësaj shtëpie të Hyjit. Hyji i shpëtimit ju dhëntë të gjithëve forcën e besimit dhe Shën Gjon Pagëzori miku e ndërmjetësi i tij i fuqishëm para Hyjit e mbrojt udhën tuaj të fesë! Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.