Kardinal Ravazi në Festivalin Muzikor në Umbria: muzika të frymëzohet sërish nga feja
për të krijuar kryevepra si në të kaluarën
Filloi të premten në Perugjia të Italisë e do të vazhdojë deri më 18 shtator, Festivali
i 66-të Muzikor i Umbrias, një nga më të lashtët e muzikës kishtare e klasike, që
këtë vit ka si temë “Nga bota e vjetër në të renë”. Përurimi i festivalit i takoi
Kuvendit “Muzika dhe feja”, ku morën pjesë disa nga kompozitorët dhe instrumentistët
më të njohur italianë e ndërkombëtarë. Qëllimi i këtij takimi muzikor është të reflektohet
mbi marrëdhëniet ndërmjet muzikës bashkohore dhe formave të liturgjisë, për t’i dhënë
frymë të re atij raporti, që në të kaluarën ka nxjerrë në dritë kryevepra të pavdekshme.
Pjesëmarrësit përshkojnë një rrugë, që çon nga misionet e jezuitëve në Amerikën e
Jugut, në vitet ‘600, në të cilat u përdor jashtëzakonisht muzika e deri në Nju Jorkun
e viteve ‘900, me Leonard Bernshtajnin, autorin e “West Side Story”. Për marrëdhëniet,
që lidhin muzikën me fenë, i drejtuam mikrofonin kryetarit të Këshillit Papnor të
Kulturës, kardinalit Gjanfranko Ravazi, i cili hapi punimet e Kuvendit në Perugjia: Marrëdhëniet
ndërmjet muzikës dhe fesë kanë pas vetes një traditë të jashtëzakonshme, që ka prodhuar
një numër shumë të madh kryeveprash. Për dy mijëvjeçarë, muzika e feja janë ndërthurur
gjithnjë mes tyre: mendoni për shembull, për Psalterin, për Meshët, për këngët gregoriane,
për himnet e kështu me radhë… Por, këto marrëdhënie janë prishur disi, pasi nganjëherë,
kompozimet kishtare të sotme nuk janë në nivelin e duhur. Nga ana tjetër, muzika tashmë
është drejtuar në shtigje krejtësisht larg çdo dialogu me fenë. Është e rëndësishme
ta ringjallim këtë lidhje të thellë, që i bashkon këto dy “motra”. Sipas jush,
cili është niveli i sotëm i muzikës liturgjike? Mendoj se duhen marrë parasysh
tri nivele të ndryshme. Niveli i parë është pa dyshim ai i muzikës shpirtërore të
mirëfilltë: kështu është krejt muzika me rëndësi, por edhe muzika e të rinjve të sotëm
përmban në vetvete tensione të tipit shpirtëror. Të mendojmë, për shembull, për disa
autorë si italiani De André; apo Leonard Kohen në SHBA-të, që shpesh frymëzohet nga
trashëgimia biblike; ose edhe italianë të tjerë si Vekioni, Baljoni apo Batiato. Janë
autorë, që megjithëse i përkasin një horizonti – të themi – jashtë Kishës, kanë një
muzikë shpirtërore të tyren. Ekziston pastaj një nivel tjetër, që është ai i muzikës
kishtare, asaj më solemnes, që mund të përdoret edhe nëpër koncerte, siç ndodhte në
të kaluarën e siç ndodh edhe sot. Kjo muzikë e ka bazën mbi tekstet ose temat biblike
e me gjuhën e re muzikore, mund të krijojë vepra të reja. Niveli i tretë, më delikati
e më i ndërlikuari, është ai liturgjik. Nga njëra anë, duhet ta shfrytëzojmë gjithnjë
mundësinë për të dëgjuar muzikë nga trashëgimia e pasur e së kaluarës, por, nga ana
tjetër, duhet të arrijmë të krijojmë forma të reja, që të mos jenë me cilësi të ulët.
Kemi nevojë për kompozime, të cilat e kanë parasysh ritin, kultin dhe formën e tij
të shprehjes, por që sjellin edhe risi, duke përdorur gramatikën e re të muzikës bashkohore.