2011-09-11 18:38:00

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


E diel 11 shtator, Kisha kremton të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar e po sot më 11 shtator bie edhe përkujtimi i shenjtorëve Proti e Jacinti, martirë. Shenjtorët Proto e Gjaçinto, martirë dhe i lumi Bonaventura nga Barcelona, rregulltar françeskan. Festa e tyre na kujton se nganjëherë, për të bërë vepra të mira, duhet shumë guxim: ka njerëz që nuk kanë guxim të pendohen dhe u krijojnë pengesa atyre që bëjnë vepra të mira. Shenjtorët, duke u përpjekur t’i ngjasin Krishtit, kanë qenë gjithnjë njerëz të guximshëm.
Të hënën me 12 shtator do të kremtohet festën e Emërit të Shenjtë të Vigjërës Mari, si dhe shën Guido nga Brabanti e Shën Silvani i Veronës. Emri i Zojës Mari na kujton se nuk mund të quhemi ndjekës të Krishtit, në se nuk jemi edhe njerëz të uratës. Jezusi kalonte netë të tëra në lutje, duke na mësuar të vërtetën se bota kthehet në rrugën e Zotit ‘me gjunjë’.
Të martën e ardhshme me 13 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor. Liturgjia e ditës na kujton se revolucionari më i madh që njeh historia është Jezusi: duke shpallur Ungjillin, në mënyrë të veçantë ‘Lumnitë’, Krishti revolucionarizoi mendësinë e mbarë popujve dhe vuri në jetë një ligj të ri.
Të mërkurën që vjen, më 14 shtator, kalendari kishtar kremton festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë,siç njihet tek popullit shqiptar, festa e Shëna Kryqit, e përkujton edhe Shën Albertin, patrik të Jerusalemit.
Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezus Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe personat. Cdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na është dhënë të gjithëve jeta e amshuar.
Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Konstandinit e nënës së tij Helenës, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jeruzalem Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jeruzalemit.

Të enjten më 15 shtator, kalendari kishtar do të kremtojë një nga festat më prekëse që ka për zemër populli besimtar, atë të Zojës së Dhimbshme.
Në dhimbje, më ndihmo, o Zot. Martire megjithëse pa vdekur është Maria nën kryqin e të Birit. Nga shkatërrimi e dhimbja do të vijë ngjallja; në vend të Birit të humbur, do të ketë një mori e madhe besimtarësh në Krishtin.

Të premten më 16 shtator kalendari kishtar përkujton shenjtorët Korneli papë e Çipriani ipeshkëv, martirë, Eufemia martire e Vitori, papë. Jeta shenjtorëve na kujton se ta jetosh e ta kumtosh Ungjillin, shpesh herë do të thotë t’i kundërvihesh kulturës në të cilën jeton. Na shtyn të mos pranojmë atë që duket se e pranojnë të gjithë e na kujton se, ndryshe nga të tjerët, ne nuk i pranojmë kënaqësitë dhe pushtetin e kësaj bote, në të cilën jemi shtegtarë që ecin drejt një bote më të mirë.

Të shtunën që vjen më 17 shtator kalendari kishtar feston shën Robert Belarminin, kardinal, ipeshkëv e doktor i Kishës që kujtojmë se ndër njerëzit që i thërret Zoti e i dërgon të përhapin lajmin e mirë, jemi edhe ne. Çdo i krishterë dëgohet në botë për të dëshmuar dashurinë që na ka dhuruar Krishti. Për këtë jemi të sigurtë.

Të dielën e ardhshme më 18 shtator, Kisha do të kremtojë të dielën e 25-të gjatë vitit e gjithnjë më 18 shtator sipas kalendarit kishtar bie kujtimi i shën Jozef Kopertinit, meshtar françeskan. Liturgjia na kujton se të jesh i krishterë, do të thotë të jesh i sigurtë se Zoti kujdeset për ne në çdo çast të jetës. E kjo na jep zemër ta shpallim haptazi besimin tonë në Zotin, duke e pasur mirë parasysh se feja nuk është ndjenjë private, por dëshmi publike!







All the contents on this site are copyrighted ©.