Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, 10 vjet pas atentateve tragjike të 11 shtatorit,
i nxit krerët e kombeve ta refuzojnë gjithnjë dhunën
Fjalët e Papës gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot iu referuan përvjetorit të dhjetë
të atentateve tragjike të 11 shtatorit 2001, që u përkujtuan sot në mbarë botën. Natyrisht,
mendimi i parë i Benediktit XVI shkoi te viktimat e terrorizmit e pastaj, Ati i Shenjtë
u bëri këtë thirrje krerëve të kombeve: “Duke i kujtuar
Zotit të Jetës viktimat e atentateve të asaj dite dhe familjarët e tyre, i ftoj përgjegjësit
e kombeve dhe njerëzit vullnetmirë të refuzojnë gjithnjë dhunën si rrugëzgjidhje për
problemet, t’i rezistojnë tundimit të urrejtjes dhe të veprojnë në shoqëri, duke u
frymëzuar nga parimet e solidaritetit, të drejtësisë e të paqes”. Në përfundim
të Engjëllit të Tënzot, Papa nuk ndenji pa iu lutur Zojës së Bekuar, Shtëpia e Shenjtë
e së cilës ndodhet pikërisht në territorin e Markeve, në Loreto. Duke ia besuar asaj
qytetin e Ankonës dhe krejt Italinë, Benedikti XVI u lut që besimtarët ta mbajnë gjithnjë
gjallë fenë në Misterin Eukaristik, i cili e bën të pranishëm Krishtin e Ringjallur,
burim shprese e ngushëllimi në jetën e përditshme, sidomos në çastet më të vështira.