2011-09-11 18:37:14

Editorial i atë Federiko Lombardit: 11 shtatori


Siç e dëgjuat edhe nga fjalët e Papës në Lutjen e Engjëllit të Tënzot në Ankona, bota e tërë përkujton sot 11 shtatorin e vitit 2001, në 10-vjetorin e atentateve terroriste, që rrëzuan Kullat Binjake në Nju Jork e shkaktuan dëme në Pentagon. Mëse 3000 qenë viktimat, që u kujtuan me veprimtari të shumta jo vetëm në SHBA-të, por edhe në vende të tjera të botës, pavarësisht nga kërcënimet për atentate të reja. Këtij argumenti ia kushton editorialin e sotëm edhe zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Kanë kaluar 10 vjet nga dita e sulmit të pabesueshëm terrorist, i cili përplasi katër avionë civilë, plot me udhëtarë të pafajshëm, kundër ndërtesave simbol të pushtetit ekonomik, ushtarak dhe politik të SHBA-ve në Nju Jork e në Uashington. Gati 3 mijë jetë njerëzish shuheshin atë ditë, e më pas, edhe një mijë të tjerë, nga pluhurat e helmet, që dolën nga rënia e Kullave Binjake. Njerëz me mëse 70 kombësi të ndryshme, me fe e kultura të ndryshme. Mijëvjeçari i ri i sapofilluar nuk do të ishte pra, kohë e paqes, por – edhe një herë – kohë, në të cilën urrejtja donte të tregonte fuqinë e vet. E vërtet, akoma ekziston lufta, e cila gjithsesi, nuk ka zgjidhur përfundimisht asnjë problem. Osama Bin Ladeni, mendja e atentateve, u vra, por vështirë që terrorizmit t’i vijë fundi nga kjo.
11 shtatori qe edhe dita, në të cilën, ndërsa shumë përpiqeshin të iknin nga vdekja e afërt, qindra persona të tjerë vraponin drejt rrezikut për të ndihmuar viktimat, jepnin jetën e tyre për të shpëtuar jetë të tjera. Ishin të bindur se kështu ishte e drejtë të bëhej e ishin gati për këtë. Flijimi i zjarrfikësve të Nju Jorkut dhe ai i të tjerëve, që vepruan si ata, mbetet një mesazh drite verbuese në një ditë të errët. E sa impenjim bamirësie, shërbimi, lutjeje; sa dëshirë për mirëkuptim, për dialog e për paqe erdhi më pas, në forma diskrete, por shumë konkrete, nga ana e atyre, që në ato ditë, nuk ranë në dëshpërim e nuk lanë të mbizotëronte dëshira për hakmarrje!
Sa urrejtje, por edhe sa shumë dashuri! Cila mbizotëroi? Cila mbizotëron sot? Cila do të mbizotërojë në të ardhmen? Ne, të frymëzuar nga emri i Zotit, dëshirojmë që të gjithë ata që e adhurojnë, ta ushqejnë me këto kujtime vullnetin e pathyeshëm për t’i shërbyer jetës e paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.