2011-09-11 18:24:12

Ankona


Qytet me mëse 100 mijë banorë, Ankona është qendra kryesore ekonomike dhe port i rëndësishëm i rajonit të Markeve në Itali. Në vitin 2013, do të kremtojë 2400 vjetorin e themelimit të saj prej grekëve, pavarësisht se janë gjetur gjurmë edhe më të lashta, që flasin për ngulime, që në epokën e bronxit e të hekurit. Për dy shekuj, Ankona ishte koloni e pasur greke, pa qenë pjesë e Magna Grecia. Më vonë, u bë aleate e Romës dhe port komunikimi ndërmjet saj e Lindjes. Pati rëndësi të veçantë nën perandorin Trajan. Pas rënies së perandorisë romake, e pas luftës gote-bizantine, mbeti një nga qendrat e Preandorisë Bizantine. Pas vitit 1000, qyteti hyri në periudhën më të rëndësishme të historisë së vet, si republikë detare e lirë. Gjatë 5 shekujve të pavarësisë u dallua nga republikat e tjera detare, pasi nuk ndërmorri kurrë luftra kundër qyteteve të tjera, pavarësisht se u detyrua të mbrohej prej tyre. Hyri në Shtetin Papnor në vitin 1532 dhe u zhvillua jashtëzakonisht në periudhën e papës Klementi VII. Qe republikë e Napoleonit, pas Revolucionit Francez e në vitin 1860 hyri në Mbretërinë e Italisë, ku në gjirin e shtetit të ri, pati një rol të rëndësishëm ushtarak, sidomos në dhjetë vjetët e parë. Në fillim të viteve ‘900 u bë e njohur për shpirtin e saj rebel. Dy herë me radhë u bë skenë e revoltave, që më pas, u përhapën në të gjithë Italinë: Java e kuqe dhe revolta e bersalierëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.