Në Graund Zirou, hon i historisë, lutja e Papës për paqen në botë e në zemrat e njerëzve.
Dita e gjashtë dhe e fundit e shtegtimit VIII apostolik të Benediktit XVI në SHBA
më 20 prill 2008, filloi me një nga ngjarjet më të pritura, me lutjen në Ground Zero
(Graund’Zirou). Në orën 9. 30 me orën vendase, 15. 30 me atë evropiane, Papa u ndal
në atë vend, ku dikur lartoheshin dy rrokaqiejt binjakë “Tuin Tauers”. I shoqëruar
nga kardinali Eduard Igën, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger arriti në Bed Rok, në fundin
e gropës së hapur nga shembja, në Graund Ziero. Të pranishëm, kryetari bashkisë së
Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, governatorët e Nju Jorkut e të Nju Xhersit si dhe 24
përfaqësues të protagonistëve të 11 shtatorit. Gjëja e parë që të bie në sy edhe
sot në këtë vend kaq tragjik ku, si në një film tmerresh, humbën jetën tri mijë vetë,
është një kryq 7 metra i lartë: dy copa trarësh prej çeliku, të nxjerra prej gërmadhash
nga një punëtor, një ditë pas tragjedisë, e të kryqëzuara për t’i siguruar njerëzit
e pushtuar nga tmerri, se Hyji nuk i kishte braktisur. Sipas shumë njujorkezëve, vizita
e Papës më 2008 në këtë vend simbol, ka të njëjtin kuptim: E këtë kuptim ka edhe lutja
që u lartua nën Kryqin e besimit e të shpresës, në një vend ku më 11 shtatorin e vitit
2001 ndokush pati bërë pyetjen tepër të vështirë “Ku ishte Zoti?”.
Lutja O
Hyj i dashurisë, i mëshirës e i pajtimit, drejtoi sytë e Tu mbi ne, popull i feve
e i traditave të ndryshme, mbledhur sot në këtë log, skenë e dhunës dhe e dhimbjes
së pabesueshme. Të lutemi që, me mirësinë Tënde, t’u japësh pushimin e pasosur
e dritën e pambaruar të gjithë atyre që vdiqën në këtë vend; të parëve, që
vrapuan të japin ndihmën e tyre: zjarrfikësve, policëve, punonjësve të ndihmës
së shpejtë e personelit të Kapitenerisë së Portit, së bashku me të gjithë burrat e
gratë e pafajshme, viktima të kësaj tragjedie vetëm sepse puna e tyre e shërbimi i
tyre i thirri këtu më 11 shtator 2001. Të lutemi, me mëshirën tënde, t’i shërosh
ata që sot, për shkak të pranisë së tyre këtu i ndjejnë fort dhimbjet e plagëve
e të sëmundjeve . Shëroi, o Zot, edhe familjet, që vuajnë e qajnë ende, e të
gjithë ata që humbën të dashurit në këtë tragjedi. Jepu forcën ta vijojnë rrugën
e jetës me guxim e shpresë.
Kujtojmë edhe ata që vdiqën, u plagosën e
të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur në të njëjtën ditë, në Pentagon e në
Shanksvil, në Pensilvani. Zemrat tona bëhen një me zemrat e tyre, Rrahin njëherësh
me to. Lutja jonë përfshin gjithë dhimbjen e tyre.
O Zot i paqes, jepi paqen
tënde kësaj bote plot dhunë - Paqe në zemrat e të gjithë burrave e grave, e
paqe ndërmjet Kombeve të tokës! Bëj t’i kthejnë hapat në udhën tënde të dashurisë, ata
që i kanë mend e zemër të prishura nga urrejtja. O Hyj i mirëkuptimit: të
dërrmuar nga përmasa e përbindshme e kësaj tragjedie, kërkojmë dritën tënde e udhëheqjen
Tënde, ndërsa jemi para një ngjarjeje kaq të llahtarshme. Të lutemi që njerëzit,
jetët e të cilëve u kursyen, të jetojnë në një mënyrë të tillë, që të mos e
bëjnë të kotë flijimin e atyre që këtu e humbën jetën. Ndihmona e ngushëllona, përforcona
në shpresë e na jep urti e guxim të punojmë pa u lodhur kurrë për një botë ku
mbretëron paqja e dashuria e vërtetë ndërmjet Kombeve e në zemrat e të gjithëve! Në
përfundim të lutjes, Ati i Shenjtë Benedikti XVI ndezi një qiri dhe dha bekimin apostolik
pikërisht aty, ku dhjetë vjet më parë lartohej “The World Trade Center” (Dhe Uorld
Trejd Sentër) së cilës më 2012 do t’ia zërë vendin “The New World Trade Center” (Dhe
Nju Uorld Trejd Sentër), vepër e arkitektit amerikan, Daniel Libenski.