2011-09-10 18:07:28

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.
Në qendër të Fjalës së Zotit të kësaj së diele është FALJA, thirrja për falje dhe pajtim të përhershëm reciprok. Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë të falim njëri tjetrin gjithmonë, na ftojnë t’i japim fund logjikës së hakmarrjes, ti këpusim prangat e inatit, të hidhërimit e të urrejtjes dhe të jetojmë në pajtim e në përkim njëri me tjetrit. Thirrja që Jezusi përmes Ungjillit na drejton të gjithëve, është një ftesë për të rigjetur dashurinë e zemërgjerësinë duke kujtuar përkatësinë e përbashkët që kemi në Zotin.
Pra, liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele është një traktat i vogël por tejet i çmueshëm mbi faljen vëllazërore, mbi dashurinë, mbi pajtimin dhe pranimin e anasjelltë. Elemente këto për të cilat jeta jonë shpirtërore dhe marrëdhëniet tona të përditshme kanë nevojë porsi trupi që ka nevojë për ujë. Pa dashuri e pa falje nuk mund të jetohet, e nuk mund të jetojmë. Jezu Krishti Zot na fton dhe na pranon në tryezën e vet Hyjnore duke na dhuruar faljen e pajtimin e tij, por njëkohësisht kërkon që edhe ne t’i falim vëllezërit e të afërmit tanë. Jezusi kërkon që edhe ne t’i kemi të njëjtat ndjenja, të njëjtin qëndrim, po ato sjellje, po atë dashamirësi e përdëllim ndaj tjetrit, ndaj çdo njeriu, siç Ai e ka ndaj nesh. Pse duhet të falim tjetrin, pse duhet të pajtohem me atë që më ka ofenduar? Përgjigja është shumë e thjeshtë: sepse kështu vepron e bënë Zoti.
Në Ungjillin e së dielës së kaluar (të 23 diele gjatë vitit) Jezus pat nënvizuar rëndësinë e korrigjimit apo të ndreqjes vëllazërore, këtë të diele (24 gjatë vitit), me shëmbëlltyrën që do ta dëgjojmë në Ungjill, e thellon fjalimin e tij mbi dashurinë, mbi mirëkuptimin vëllazëror e na thotë se të falësh tjetrin është një detyrim. Prandaj nuk ka justifikime apo rrugëdalje tjetër, përveç dashurisë e faljes vëllazërore. Këtë, Jezusi na mëson edhe përmes lutjes që u ka mëzuar apostujve dhe neve, të cilën uratë e themi çdo ditë, është Ati Ynë...Në këtë lutje të bukur të Jezusit, mes tjerash themi..”na i fal fajet e mëkatet tona, siç i falim ne fajtorët tanë...”
“Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh mëkatet tua do të falen” (Sir 28,2); “Zoti i fal të gjitha fajësitë e tua..nuk na trajton sipas mëkateve tona, nuk ka shpaguan sipas fejeve tona” (Ps 102) psalmi i kësaj së diele; “kështu do të bëjë me ju edhe Ati qiellor, nëse nuk e falni me gjithë zemër secili vëllain tuaj” (Mt 18,35: ungjilli i së dielës); “na i fal fajet e mëkatet tona, siç i falim edhe ne fajtorët tanë...” (Ati Ynë). Përmes këtyre fjalive marrë nga liturgjia e kësaj së diele e mund të mësojmë vlerën që ka për jetën tonë falja e anasjelltë.
Kështu pra, duhet t’i falim të gjithë ata që na bëjnë keq...ata që na urrejnë, që flasin keq e kundër nesh. Kjo duhet se është shumë e vështirë, madje duket si diçka qesharake dhe pamend të falësh kundërshtarin, armikun. Po çka bënë ai njeri që nuk fal? Njeriu, i cili nuk fal mbyllet në vetvete, ose gjen rastin për t’u hakmarrë dhe i përgjigjes së keqes me të keqe, i përmbahet logjikës së hakmarrjes “sy për sy”. Po ky nuk është vullneti i Zotit. Hyji na urdhëron të falim, të falim gjithmonë. Dhe arsyeja është kjo: “sepse Ai, Hyji Ati ynë Qiellor na ka falur”.
Në ungjillin e kësaj së diele Jezusi i përgjigjet pyetjes së Pjetrit; “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë në ditë?”” –“..deri në shtatëdhjetë e shtatë herë!” domethënë gjithmonë, pa kufi.
E tani mbi tepër mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, mund të dëgjoni këtu....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.