2011-09-10 19:12:57

Letra e Benediktit XVI për 11 shtatorin: “asnjë shkak apo rrethanë nuk mund të justifikojë kurrë aktet e terrorizmit”.


Jo dhunës në emër të Zotit: këtë ripohon Papa Jozef Ratcinger në një letër dërguar kryeipeshkvit të Nju Jorkut, imzot Timothy Dolan, me rastin e dhjetë vjetorit të atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001.
“Këtyre ditëve – i shkruan Ati i Shenjtë Benedikti XVI kryeipeshkvit të Nju Jorkut – mendimet e mia kthehen tek ngjarjet e hidhura, aktet e liga të 11 shtatorit 2001, kur kaq shumë njerëz të pafajshëm humbën jetën në një sulm mizor ndaj Kullave Binjave të World Trade Center e në sulme tjera në Uashington e në Pensilvani. Bashkohem me ju në lutjen drejtuar Hyjit për mijëra e mijëra viktima të cilat ia porosisë mëshirës së Hyjit të Gjithëpushtetshëm dhe Atit Tonë që është në qiell i kërkoi të vazhdon ti ngushëllojë ata që vajtojnë humbjen e të dashurve të vet”.
“Edhe një herë, duhet të pohohet në mënyrë të qartë e të padyshimtë se asnjë rrethanë, asnjë shkak kurrë nuk mund të justifikon aktet e terrorizmit”. Papa Benedikti XVI ripohon me forcë atë që pat thënë në raste e në rrethana tjera: “dhuna nuk mund të përdoret në emër të Zotit”. “Tragjedia e asaj dite – shkruan Benedikti XVI – është përkeqësuar nga pretendimi i atentatorëve se gjoja vepronin në emër të Zotit”. Po duhet ditur se “çdo jetë njerëzore – vijon mesazhi papnor – është e çmueshme para syve të Zotit” e prandaj “nuk duhet të kursehet asnjë përpjekje në mundimin dhe orvatjen e promovimit të respektit të vërtetë e të çiltër në botë për të drejtat e patjetërsueshme e të pacenueshme dhe të dinjitetit të njerëzve e të popujve kudo që ata janë”.
Papa, pastaj kujtoi “viktimat e shumta të pafajshme” që humbën jetën në atë “sulm brutal”, duke ia besuar “mëshirës së pakufishme të Zotit “ dhe përmes lutjes kërkon ngushëllimin për ata njerëz që kanë qenë goditur nga humbja e të dashurve të vet.
Ati i Shenjtë lëvdon popullin amerikan “për guximin dhe bujarinë që ka treguar gjatë ndihmës së dhënë, si dhe për gatishmërinë në vazhdimin e ecjes përpara me shpresë e besim”. Së fundi, Benedikti XVI larton “lutjen e tij të zjarrtë” Hyjit që “impenjimi i vendosur për drejtësi e një kulturë globale të solidaritetit të kontribuojë për çlirimin e botës nga hakmarrjet që kaq shpesh e kaq shumë i lënë hapësirë akteve të dhunës”, duke krijuar në të njëjtën kohë “kushtet për një paqe ma të madhe, ma të fortë dhe prosperitet” në perspektivën e “një të ardhme më të ndritur e më të sigurt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.