2011-09-09 11:46:32

Ipeshkvijtë gjermanë paraqesin vizitën e Papës në Gjermani


Ipeshkvijtë gjermanë paraqitën në Berlin udhëtimin e ardhshëm të Papës në Gjermani, që do të bëhet nga data 22 deri më 25 shtator. Kryeipeshkvi i Friburgut, imzot Robert Xolliç, i cili është edhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, nënvizoi se vizita e Benediktit XVI do të inkurajojë e do të përforcojë në fe bashkësinë katolike, në një çast jo të lehtë. Përsa i përket protestave, që parashikohen gjatë fjalimit të Papës në parlamentin federal, më 22 shtator, disa deputetë kanë njoftuar se në atë rast, do të largohen nga salla. Kryipeshkvi i Berlinit, imzot Rainer Maria Velki vuri në dukje se Kisha nuk shqetësohet për këto nisma, pasi në një vend demokratik, secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet, por theksoi se para se të bëhen kritika, do të ishte mirë të dëgjohej fjala e Papës.
Kostoja e vizitës së Papës në Gjermani, prej rreth 30 milion eurosh, do të përballohet nga Kisha Katolike e vendit. Shteti do të merret vetëm me masat e sigurisë. Në aktivitetet e ndryshme të atyre ditëve, deri tani, janë regjistruar 250 mijë vetë: 70 mijë do të marrin pjesë në Meshën e Stadiumit Olimpik të Berlinit, në program në orën 18.30 të 22 shtatorit. Në atë rast, do të krijohet “Fondi-Benedikt për Afrikën Lindore”, në ndihmë të popullsive të Bririt të Afrikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.