2011-09-09 17:05:10

Bibla është burim i jetës shpirtërore për besimtarët katolikë e ortodoksë


Të vësh në dritë njësinë thelbësore ndërmjet Shkrimit të Shenjtë (Biblës), ekzegjezës dhe jetës shpirtërore, unitet që përshkon tërë traditën e Kishës së Lindjes, megjithëse në forma të ndryshme në krahasim me Perëndimin. Ky është synimi i Simpoziumit të XIX Ekumenik Ndërkombëtar të spiritualitetit ortodoksë, organizuar nga Manastiri i Bose-së që përqendrohet mbi temën “Fjala e Zotit në jetën shpirtërore”. Duke folur në këtë simpozium, punimet e të cilit përfundojnë nesër, kardinali Angelo Sodano, dekan i kolegjit kardinalor të Vatikanit, pohoi se dialogu ekumenik është çështje “me rëndësi tejet të madhe” për Kishën katolike dhe për atë ortodokse. Si për katolikët e po kështu edhe për ortodoksit Bibla është burimi i jetës shpirtërore për besimtarët, edhe pse tradita kishtare lindore e ajo perëndimore kanë mënyra të veta përkatëse të leximit të Fjalës së Zotit që ndryshojnë njëra nga tjera. Sipas eprorit të Bashkësisë murgare Bose-s, Enzo Binachi, në perëndim afrimi ndaj Fjalës Hyjnore e këndej edhe leximi i Biblës, natyrisht përveç liturgjisë Eukaristike, pra Meshës, zakonisht është ai i ‘Lectio divina’, që bëhet përmes dëgjimit e meditimit të Fjalës së Zotit, që përmbahet në një tekst, por duke përshkuar udhët më intelektuale. Në Kishën ortodokse afrimi ndaj Fjalës së Zotit ka qenë gjithmonë liturgjik, e prandaj është pikërisht në liturgji që ortodoksit e dëgjojnë Fjalën e Zotit, e dëgjojnë Biblën. Në Perëndim lutjet tona në vetvete janë më biblike se të tyre sepse ortodoksit kanë një sërë kompozimesh kishtare të kohës së etërve të Kishës; thjeshtësia e liturgjisë latine në anën tjetër i referohet vazhdimisht psalmeve e këngëve të Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Gjithsesi përdorimi liturgjik që kanë të krishterët lindorë mund të jetë një mësim i madh edhe për ne perëndimoret: sot ekziston nevoja e një leximi liturgjik, një ekzegjezë liturgjike të Fjalës së Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.