2011-09-08 16:47:02

Shqipëria e Greqia për një konsolidim të bashkëpunimit në të gjitha fushat


Kryeministri Shqipërisë Sali Berisha priti sot në një takim në Tiranë Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, zotin Yannis-Alexis Zepos. Në takim u diskuan çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe u rikonfirmuan marrëdhëniet e shumë të mira mes të dy Vendeve, angazhimi i të dyja palëve për të zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera miqësore e të fqinjësisë, si dhe për të konsoliduar bashkëpunimin në të gjitha fushat, si në aspektin dypalësh ashtu edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

-Edhe zv.kryeministri e ministri i punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto priti Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Yannis-Alexis Zepos -
Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për zhvillimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm, në interes të dy vendeve dhe popujve tanë.
Z. Zepos nënvizoi se Greqia do të vazhdojë të jetë nga mbështetësit kryesorë në përpjekjet që bën Shqipëria për integrimin evropian, duke ofruar asistencën e saj konkrete në këtë drejtim.
Ai përcolli gjithashtu ftesën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Greke, z. Lambrinidis, për z. Haxhinasto, për të vizituar Athinën.
Më tej, z. Zepos vlerësoi kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe u shpreh se ata janë një urë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Z. Haxhinasto theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Ai tha se me vullnetin dhe angazhimin e përbashkët që ekziston, do të realizojmë progres dhe hapa konkrete në gjithë çështjet që ekzistojnë midis dy vendeve tona.
"Marrëdhëniet me Greqinë janë substanciale", u shpreh ministri Haxhinasto, "dhe perceptimi publik për to duhet të reflektojë këtë substancë".
Duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, z. Haxhinasto tha se shpreson që opinioni i Komisionit Evropian të bazohet në zhvillimet pozitive në parlamentin shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.