2011-09-08 16:52:53

Kosova kërkon zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë


Kosova pret që marrëveshja me Serbinë për lëvizjen e lirë, e arritur më 2 korrik 2011, në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, të fillojë të zbatohet shumë shpejt, sapo të përmbyllen përgatitjet e nevojshme teknike.
Zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës, njoftoi sot se , "më 5 shtator 2011 në Bruksel, nën kryesimin e zyrës së BE-së për ndërmjetësimin e dialogut teknik, u mbajt takimi i radhës i grupit të ekspertëve për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes delegacioneve nga Kosova dhe Serbia".
Ndër çështjet kryesore që u diskutuan në takim ishin modalitetet e kalimeve kufitare për qytetarët, çështjet e tabelave të regjistrimit të automjeteve dhe zbatimi i polisave të sigurimeve kufitare.
Gjatë takimit u theksua se, "kalimet kufitare duhet të jenë sa më të lehta dhe mos të marrin kohë në procedimin e qytetarëve nga të dyja palët në mënyrë që qarkullimi të jetë i lirshëm dhe i papenguar, si dhe tabelat e regjistrimeve të automjeteve, që nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës duke filluar nga 1 nëntori 2011".
Sa i përket sigurimeve kufitare, të dyja palët ranë dakord që çmimet e polisave të sigurimeve të automjeteve të jenë sa më të ulëta, që mos të ketë ngarkesa të panevojshme mbi qytetarët.
Me zbatimin e polisave kufitare, veturat e pasiguruara nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës, ashtu siç ka ndodhur që nga viti 1999.
Në delegacionin e ekspertëve nga Kosova morën pjesë Lirim Greiçevci, (udhëheqës i delegacionit, këshilltar i kryeministrit), Fisnik Rexhepi (këshilltar i ministrit të punëve të brendshme), Qemajl Marmullakaj (Zyra për Planifikim Strategjik e Kryeministrit), Kolonel Shaban Guda (Drejtor i policisë kufitare të Kosovës), Rrahim Pacolli (kryetar i Bordit të Shoqatës së Sigurimeve) dhe Flamur Mrasori (shef i kabinetit të Guvernatorit të Bankës Qendrore).







All the contents on this site are copyrighted ©.