2011-09-07 15:22:35

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: Zoti është gjithnjë i pranishëm për njeriun, që e kërkon


Edhe në mesin e problemeve e të çasteve të vështira të jetës, Zoti është gjithnjë pranë, na dëgjon, na përgjigjet e na shpëton. Me këtë siguri, Benedikti XVI përfundoi katekizmin e tij në audiencën e paradites së sotme, e cila, për herë të parë pas pushimeve, u zhvillua në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, para mijëra besimtarëve nga mbare bota. Papa vazhdoi reflektimet e tij mbi lutjen, duke u frymëzuar nga Psalmi n.3.
Ati i Shenjtë Ratcinger e mori në dorë strofë pas strofe, duke vënë në dukje poezinë e vargjeve të Psalmit 3, në të cilin përmblidhet krejt historia universale e marrëdhënieve ndërmjet njeriut e Zotit, ndërmjet krijesës, që ka nevojë për mbështetje dhe, Krijuesit, që ia plotëson lutjet. Toni i hapjes së psalmit, nënvizoi Papa, është “fortësisht dramatik”. Mbretit David i është marrë me forcë froni nga i biri, Absaloni, që e detyron të largohet nga Jeruzalemi në kërkim të shpëtimit, i ndjekur nga një grup agresorësh. E kap ankthi e fjalët e para të psalmit janë në të vërtetë, një thirrje e gjatë për ndihmë drejtuar Qiellit nga një njeri i vetëm, i cili megjithëse në rrezik jete, e ruan besimin në Zotin:
“Por, armiqtë përpiqen ta këpusin edhe këtë lidhje me Zotin e ta lëkundin fenë e viktimës së tyre. Ata thonë se Zoti nuk mund të ndërhyjë, duke pohuar se as Hyji nuk mund ta shpëtojë… Është tundimi i fundit, i skajshëm, i besimtarit, është tundimi për të humbur fenë, besimin në afërsinë e Zotit”.
Sulmi kundër mbretit David pra është më i thellë, është psikologjik e jo vetëm me armë. Nuk kufizohet me dhunën fizike, por përpiqet të lëkundë bindjet e tij të brendshme. Mizoria dhe sarkazma e armiqve të mbretit, theksoi Benedikti XVI, janë po ato, që do të provojë më vonë Jezusi në kryq. E janë po ato, që në rrethana të ndryshme të jetës, mund t’i provojë kushdo:
“Më duket se këtu, Psalmi na prek personalisht në shumë probleme. Tundohemi të mendojmë se ndoshta edhe Zoti nuk na shpëton, nuk na njeh e ndoshta, nuk i ka mundësitë. Tundimi kundër fesë është sulmi i fundit i armikut e duhet t’i rezistojmë, që të gjejmë Zotin e të gjejmë Jetën”.
Vërtet, feja e mbretit David shpërblehet. Në një pikë të caktuar të psalmit, fjala “shumë” për armiqtë zhduket, e atyre u kundërvihet një njeri i vetëm, por shumë më i madh e më i fuqishëm:
“Njeriu nuk është më vetëm, armiqtë nuk janë të pathyeshëm siç dukeshin, sepse Zoti e dëgjon klithmën e të shtypurit e përgjigjet nga vendi ku është, nga mali i tij i shenjtë. Njeriu thërret, në ankth, në rrezik, në dhimbje; njeriu kërkon ndihmë e Zoti përgjigjet”.
Kjo ndërthurje e klithmës njerëzore me përgjigjen hyjnore, vazhdoi Papa, është dialektika e lutjes dhe çelësi për të interpretuar krejt historinë e shëlbimit:
“Klithma shpreh nevojën për ndihmë e i bën thirrje besnikërisë së tjetrit; ta ngresh zërin do të thotë të vendosësh një gjest feje afër e aty ku Zoti është gati të dëgjojë. Lutja shpreh sigurinë e pranisë hyjnore të provuar e të besuar, e cila shfaqet tërësisht në përgjigjen shpëtimprurëse të Hyjit”.
Në këtë pikë, psalmisti ndjehet i sigurtë në krahët e Zotit, i cili na përshkruhet si “rojtar”, që vigjëlon mbi të mbrojturin e vet, edhe pas fitores mbi armiqtë. Kjo, nënvizoi Benedikti XVI në përfundim të katekizmit, është metafora e marrëdhënieve, që besimtari i sotëm duhet të ketë me Zotin, përmes lutjes:
“Në dhimbje, në rrezik, në hidhërimin e moskuptimit e të ofendimit, fjalët e psalmit na e hapin zemrën para sigurisë ngushëlluese të fesë. Zoti është gjithnjë pranë – edhe në vështirësitë, në problemet, në çastet e errta të jetës – na dëgjon, na përgjigjet e na shpëton, sipas mënyrës së vet. Por duhet të dimë si ta njohim praninë e Tij e t’i pranojmë udhët e Tij”.
Në fund të audiencës, Papa kujtoi funeralin e djeshëm të kardinalit polak Andrei Maria Deskur, duke përmendur miqësinë e tij me Papën e lum Gjon Pali II. Me lutjen e me vuajtjet e tij, theksoi Benedikti XVI, ai e mbështeti shërbimin papnor, duke ia besuar gjithnjë jetën e vet Zojës së Papërlyer.







All the contents on this site are copyrighted ©.